Lajmet

23 korriku – Dita e Tretë Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve

Të dielën më 23 korrik Dita e gjyshërve

Në Meshën që Papa Françesku do të kremtojë të dielën, më 23 korrik, në Bazilikën e Vatikanit për Ditën e Tretë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, pesë të moshuar do t’ua dorëzojnë Kryqin e Shtegtarit të DBR-së po aq të rinjve, që do të nisen për në Lisbonë. Një gjest që dëshiron të nxjerrë në pah lidhjen ndërmjet breznive. Skelzo: të rinjtë dhe të moshuarit duhet të takohen, për të krijuar strukturën shoqërore të vëllazërisë

Të dielën, më 23 korrik, në orën 10.00, Papa Françesku do të kremtojë meshën për Ditën e Tretë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve
, në Bazilikën e Vatikanit. Do të jenë të pranishëm mbi 6 mijë  pleq e të rinj nga e gjithë Italia, shumë prej të cilëve të moshuar – gjyshër të shoqëruar nga nipërit dhe mbesat, mysafirë nga shtëpi pushimi dhe shumë përfaqësues të të moshuarve nga famullitë, dioqezat dhe shoqatat.
Tema e kremtimit të sivjetëm është „Mëshira e Tij brez pas brezi“ e cila, siç shpjegon vetë Françesku në mesazhin e shkruar për këtë rast,  na kujton menjëherë takimin e Marisë me Elizabetën, ikonë që na kujton edhe Ditën Botërore të Rinisë, e cila do të kremtohet pas një jave në Lisbonë, me temë “Maria u ngrit e shkoi me nxitim”.

Të moshuar e të rinjtë drejt DBR-së së Lisbonës
Një çast veçanërisht domethënës, në fund të kremtimit të kryesuar nga Papa të dielën e ardhshme më 23 korrik, do të jetë paraqitja simbolike nga pesë të moshuar – që përfaqësojnë pesë kontinentet – i Kryqit të Shtegtarit të DBR-së të cilin do t’ua dorëzojnë po aq të rinjve, që do të shkojnë në Portugali, simbol prekës i transmetimin e i besimit nga breznia në brezni. Gjesti dëshiron të përfaqësojë edhe angazhimin e të moshuarve dhe të gjyshërve, sipas ftesës së Papës në mesazhin për Ditën kushtuar atyre, që të luten për të rinjtë, të cilët po nisen dhe për t’i shoqëruar me bekimin e tyre.

Disa nisma nëpër botë
Në ditën botërore të gjyshërve dhe të të moshuarve, në çdo dioqezë, ata që do të marrin pjesë në një meshë, ose që do të vizitojnë të moshuarit, mund të fitojnë ndjesëe plotë në kushtet e zakonshme: rrëfim sakramentor, kungim eukaristik dhe lutje sipas synimeve të Papës. Në pesë kontinentet po organizohen nisma të ndryshme. Në Brazil, për shembull, Konferenca e Ipeshkvijve do të kremtojnë një meshë me të moshuarit në Shenjtëroren e Aparecidës, ndërsa në Kanada ipeshkvijtë publikuan një video për t’i ftuar të rinjtë të vizitojnë të moshuarit në shtëpitë e pushimit. Në Lisbonë, komiteti organizativ i DBR-së  organizoi një zinxhir lutjesh nga gjyshërit dhe të moshuarit për t’i shoqëruar të rinjtë që nisen për në Lisbonë, në portalin queridosavos.pt dhe nisi një sfidë në mediat sociale duke i ftuar të gjithë të rinjtë të vizitojnë gjyshërit e tyre dhe të bëjnë një foto ose të bëjnë një video me ta.
“Miqësia e të moshuarit e ndihmon të riun të mos e prishë jetën në të tashmen dhe të kujtojë se jo gjithçka varet nga aftësitë e tij”, nënvizon Françesku në mesazhin me rastin e Ditës së Tretë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve. – Nga ana tjetër, tek më të mëdhenjtë, prania e një të riu ngjall shpresën që të mos humbasë çka jetuan dhe që ëndrrat e tyre të realizohen”. Fjalë me të cilat Papa i fton brezat e rinj dhe të vjetër të afrohen dhe që na nxisin të reflektojmë për marrëdhëniet ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve, shpjegon për Vatican News – Vatican Radio, Vittorio Skelzo, i Zyrës për të moshuarit, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara pranë Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën.

Të ndjekim intervistën me Vittorio Skelzo
Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve këtë vit na thërret të kultivojmë lidhjet mes brezave të ndryshëm, si mund t’i afrojmë të rinjtë dhe të moshuarit sot?
Ekziston emergjenca e madhe e vetmisë së të moshuarve. Papa Françesku nënvizon, në Fratelli tutti, idenë e një shoqërie, në të cilën lidhjet janë të forta, lidhje vëllazërimi. Prandaj, është e nevojshme dhe e rëndësishme që të krijohen lidhje edhe ndërmjet brezave, të cilët duket se shkojnë secili për hesap të vet. Të mendojmë për të rinjtë e çorientuar – sa çorientim shohim në botën e të rinjve, veçanërisht pas pandemisë – dhe të moshuarit e braktisur. Në vend të kësaj, ekziston mundësia për t’u siguruar që të rinjtë dhe të moshuarit të takohen dhe të rindërtojnë strukturën shoqërore të vëllazërisë.

Çfarë frutash mund të lindin nga takimi mes të rinjve dhe të moshuarve?
Fryti, që mund të lindë nga takimi mes të rinjve dhe të moshuarve është, mbi të gjitha, ai i një shoqërie më pak të prishur. Më pas, sidomos për të rinjtë, mendoj se është problemi për të kuptuar pse jetuan të moshuarit, për kë e shkrinë jetën! Në këtë çast, në mënyrë të veçantë, tema e paqes është urgjente. Në Evropë ne jemi fëmijë të brezave që luftuan për paqen dhe ka një përkim të tmerrshëm ndërmjet zhdukjes së dëshmitarëve të luftës në Evropë dhe rishfaqjes së luftës në kontinent. Prandaj, të rinjtë kanë nevojë për njerëz që e dëshmojnë këtë ëndërr paqeje, për të moshuarit, që e jetuan, e ndërtuan dhe e realizuan në Evropë, sepse ëndrra e paqes e të moshuarve evropianë u realizua dhe vazhdon prej 80 vitesh; tani të rinjtë duhet të marrin stafetën. Fruti për të moshuarit është të kapërcejnë vetminë, sepse ne nuk mund ta pranojmë vetminë e të moshuarve në mënyrën si po e dëshmojmë vitet e fundit.

Në mesazhin e tij për Ditën e Tretë të Gjyshërve dhe të Pleqve, Papa shpjegon se plani i dashurisë së Zotit përqafon dhe lidh brezat. Çka mund të mësojnë, në këtë drejtim, të rinjtë nga të moshuarit dhe anasjelltas?
Duhet mësuar se dashuria e Zotit shtrihet brez pas brezi. Nëse shikojmë skenarin botëror, nëse shikojmë atë që po ndodh, nëse shikojmë këto vite të shënuara nga pandemia, tani nga rigjallërimi i luftës, nga ajo që Papa e quan „luftë botërore pjesë-pjesë“, do të kishim arsye për t’u çkurajuar. Fakti që dashuria e Zotit shtrihet brez pas brezi dhe se si rrjedhim kjo dëshmi kalon ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, na kujton se historia udhëhiqet nga Zoti, se Zoti nuk e braktis botën në fatin e saj dhe se në një farë mënyre, i udhëzon, i mbron njerëzit. Në çdo rast fati i njeriut mbrohet nga mëshira e Tij që, jemi të sigurtë, do të sjellë fryte të begata.

Mesazhi i Papës këtë vit ka një veçori. Çfarë mësimesh mund të nxirren prej saj?
Është lidhje thellësisht ungjillore, ndaj Papa e vendosi takimin e Marisë me Elizabetën, ndërmjet Ditës Botërore të të Moshuarve dhe Ditës Botërore të Rinisë. Simbol thellësisht ungjillor, që është vizita. Është Zoti ai që viziton popullin e tij dhe Zoti na mëson se ka gjithmonë një bekim në vizitë, në daljen jashtë, në arritjen e ndihmës ndaj atyre që janë më të brishtë. Vizita është çast i përshkruar nga Ungjilli i Lukës e i bekuar nga  Shpirti Shenjt, prandaj Papa na mëson të shohim praninë e Shpirtit Shenjt në takimin e të rinjve me të moshuarit.  Pastaj ekziston lidhja ndërmjet dy çasteve të jetës, e edhe ndërmjet dy ngjarjeve, të cilat na ftojnë të mendojmë për një botë jo të prishur, por të lulëzuar, me njerëz, që i lidh miqësia shoqërore, për të cilën flet Papa në Fratelli tutti: të rinj dhe të vjetër së bashku, për të mos i lënë të moshuarit vetëm, e të rinjtë, të çorientuar nga mendimi se do nuk do të plaken kurrë…

/RV

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »