Meditime

Dita Botërore e Rinisë/ Papa Françesku të rinjve: Nxitoni drejt të tjerëve për të bërë mirë

Për të ecur drejt njeriut që ndryshon nga ne, edhe në këto kohë të vështira të prekura nga pandemia dhe drama e luftës. Kjo, thirrja e Françeskut në mesazhin për Ditën e 37- të Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Lisbonë, në gusht 2023.

Aty është Maria, nxitimi ‘i mirë’, që e shtyn të shkojë për të ndihmuar Elizabetën duke harruar veten; është Jezusi, që vjen të na takojë dhe jeton mes nesh. Ai – kujton Papa – është përgjigja që i jepet sfidave të njerëzimit të sotëm, përshkuar tej e ndanë nga lufta dhe ligështia shëndetësore. Papa Françesku u propozon shumë ide të rinjve në Mesazhin për Ditën e 37- tëBotërore të Rinisë në Lisbonë me temë: “Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim”, shkëputur nga Ungjilli i Lukës.

Një mesazh, në të cilin kujtohen edhe tundimet e mëdha, që jetojnë të rinjtë: “të zënë” në rrjeta ose duke soditur vetveten në pasqyrë. Tundimi për të jetuar sipërfaqësisht, i udhëhequr nga një nxitim “i pabukur”, të  largon nga e mira, ta huton mendjen dhe zemrën. Françesku ofron ndërkaq një përgjigje të plotë: atë që vjen kur Zoti hyn në jetën e të gjithëve, siç ndodhi me Marinë, dhe kur kjo “na çon drejt e në zemrën e secilit prej vëllezërve dhe motrave tona”.

Zgjohu për të jetuar
Rruga drejt takimit portugez 2023 përshkohet edhe nga mesazhe të tjera: në vitin 2020 u meditua shprehja e Jezusit: “Djalosh, po të them, çohu!” (Lk 7.14); në vitin 2021, figura e Shën Palit Apostull, të cilit Zoti i Ngjallur i tha: “Çohu! dua të të bëj dëshmitar të këtij vegimi”. Të çohesh – shkruan Papa – do të thotë “të ngrihesh përsëri në këmbë”, “të zgjohesh në jetë”:

“Në këto kohët e fundit, tejet të vështira, në të cilat njerëzimi, pasi u vu në provën e rëndë të pandemisë, po copëtohet nga drama e luftës, Maria rihap për të gjithë, e në veçanti për ju, të rinj si ajo, rrugën e afërsisë dhe të takimit”.
Lisbona, thekson Françesku, “do të jetë fillim i ri për ju të rinj e – me ju – për mbarë njerëzimin”.

Të rinj jo të rënë në “kurth” por zemërhapur
Zgjimi, përjetimi i pranisë së Krishtit është “shpërthim drite, që nuk mund të lërë askënd të topitur. Maria e provoi këtë shpërthim menjëherë pas lajmit të Engjëllit, që e shtyn të shkojë, duke e ditur se planet e Zotit janë “plani më i mirë i mundshëm për jetën e saj”. “Maria – lexojmë në Mesazh – bëhet tempulli i Zotit, shëmbëlltyra e Kishës për udhë, Kishës që del dhe vihet në shërbim, bëhet Kisha mbartëse e Lajmit të Mirë!”:

“Nëna e Zotit është model për të rinjtë në lëvizje, jo të ngujuar para pasqyrës për të soditur vetveten, ose të ‘zënë’ në rrjeta. Ajo shikon gjithnjë nga jashtë. Është gruaja e pashkëve, në një gjendje të përhershme heksodi, daljeje nga vetja për të shkuar drejt të Madhit tjetër, që është Zoti, e edhe drejt të tjerëve, vëllezërve dhe motrave, veçanërisht atyre që kanë nevojë më shumë, siç ishte kushërira e saj Elizabeta”.

Lidhja e vërtetë është ajo e takimit
Nuk mund t’i zgjidhni të gjitha problemet e botës. Por mbase mund të niseni nga ato më të afërtat, nga hallet e territorit tuaj”. Françesku kujtoi më pas Nënë Terezën e cila, duke folur për të mirat që bënte, i quajti një pikë uji më shumë në oqean, duke shtuar “por nëse nuk do ta bëja, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak”. Rruga që tregon Papa është ajo e nevojave konkrete, urgjente, për të cilat duhet vepruar shpejt:
“Sa njerëz në botë presin një vizitë nga ndokush, që të kujdeset për ta! Sa të moshuar, të sëmurë, të burgosur, refugjatë kanë nevojë për shikimin tonë të dhembshur, për vizitën tonë, për një vëlla apo motër që shkon përtej mureve të indiferencës!”.
Françesku ndalet, më pas, tek “nxitimet” që trazojnë zemrat e të rinjve. E di se shumë prej tyre “të prekur nga realitete si pandemia, lufta, migrimi i detyruar, varfëria, dhuna, fatkeqësitë klimatike” pyesin “pse unë?”. Ndaj na fton të shikojmë nxitimin e Marisë, nxitim i atyre, që morën dhurata të jashtëzakonshme dhe nuk mund të mos i ndajnë:

“Maria është shembull i të riut, që nuk humb kohë duke kërkuar vëmendjen ose pëlqimin e të tjerëve – siç ndodh kur ne varemi nga ‘pëlqimet’ në mediat sociale – por lëviz për të kërkuar lidhjen më të vërtetë, atë që vjen nga takimi, nga ndarja e përbashkët, nga dashuria dhe nga shërbimi”.

Ecja jonë, nëse i prin Zoti, na çon drejt e në zemrën e secilit prej vëllezërve dhe motrave tona”.

Takimi ndërmjet brezave
Papa ndalet edhe te nxitimi “jo i mirë”, kur marrëdhëniet personale dhe ato të punës mbeten shterpe, sepse nuk bëhen me kokë, as me zemër:
“Elizabeta dhe Zakaria i pritën me krahë hapur Marinë dhe Jezusin! Ta mësojmë nga këta dy pleq kuptimin e mikpritjes! Pyetini prindërit dhe gjyshërit tuaj, si dhe anëtarët më të vjetër të bashkësive tuaja ç’ do të thotë të mikpresësh Perëndinë dhe të tjerët. Do t’ju bëjë mirë të dëgjoni përvojën e atyre, që ju  paraprinë”.

Së bashku, për t’u dhënë fund edhe luftërave
Pikërisht takimi ndërmjet brezave ndihmon në kapërcimin e distancave “ndërmjet klasave shoqërore, grupeve etnike, grupeve dhe kategorive të të gjitha llojeve” e deri te luftërat.
“Të rinjtë janë gjithnjë shpresa e bashkimit të ri për njerëzimin e  përçarë  e të copëtuar. Por vetëm nëse kanë kujtesë, vetëm nëse dëgjojnë tragjeditë dhe ëndrrat e të moshuarve. Nuk është rastësi kthimi i luftës në Evropë, në një kohë kur brezi që e përjetoi në shekullin e kaluar po zhduket”.
Mësimet e historisë shërbejnë për të kapërcyer ekstremizmin.

Një përgjigje e vetme!
Jezusi – shkruan Françesku – është përgjigjja e Zotit përballë sfidave të njerëzimit në çdo kohë:
“Mesazhi im për ju, të rinj, mesazhi madhështor që mbart Kisha, është Jezusi! Po, ai vetë, dashuria e tij e pafundme për secilin prej nesh, shpëtimi që vjen prej Tij dhe jeta e re, që na e dhuroi. E Maria është modeli, që na tregon se si ta mirëpresim këtë dhuratë paanë e pafund në jetën tonë e t’ua komunikojmë edhe të tjerëve, duke na bërë edhe ne mbartës të Krishtit, mbartës të dashurisë së tij të dhembshur, të shërbimit të tij bujar për njerëzimin e vuajtur”.
Me shikimin drejt Portugalisë, vend misionarësh, i bekuar nga Zoja e Fatimes, Papa përsërit ftesën drejtuar të rinjve të mbarë botës për të marrë pjesë në DBR-në e për të përjetuar, pas gjithë këtij izolimi, gëzimin e takimit. Dhe e përfundon thirrjen  drejtuar të rinjve, me lutjen:
“Shpirti Shenjt ndeztë në zemrat tuaja dëshirën për t’u ngritur në këmbë dhe gëzimin për të ecur të gjithë së bashku, në stil sinodal, larg kufijve të rremë. Ka ardhur tashmë koha për t’u ngritur në këmbë! Të ngrihemi shpejt! Dhe si Maria ta mbajmë Jezusin brenda nesh për t’ia komunikuar të gjithëve! Në këtë kohë mahnitëse të jetës suaj, ecni me hove të reja,  mos e lini për më vonë, çka mund të bëjë Shpirti Shenjt në shpirtin tuaj! I bekojmë me gjithë zemër ëndrrat tuaja dhe hapat e tuaj”.
/Radio Vatikani

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »