Lutja ose urata është të çuarit e mendjes dhe zemrës kah Zoti. Lutja është bisedë me Zotin. Kur themi lutje, ne bisedojmë me Zotin sikur me Atin tonë. Çdo i krishterë është i detyruar të lutet, sepse këtë na e ka porositur vetë Jezu Krishti.
Kur duhet të lutemi ose të themi uratë?
– në mëngjes, kur të zgjohemi prej gjumit;
– para dhe pas buke;
– para dhe pas pune;
– kur të nisemi për rrugë;
– ndër nevojat tona;
– ndër tundime;
– para se të bijmë në shtrat;
– gjatë meshës… etj.
Jeta e të krishtërit është lutje
Lutja më e mira është kur ne të gjithë së bashku, si fëmijë të Zotit: si vëllezër dhe motra e levdojmë Zotin me mendje, me zemër dhe me zërin tonë, duke përcjellë me vëmendje e përshpirtëri lutjet dhe fjalën e Zotit, si dhe duke kënduar këngë të përshpirtshme, të cilat i ka caktuar Kisha.
Shën Ndou i Padoves thotë për lutjen: „Lutja është falënderim.“ Kjo do të thotë: Ne shohim që çdo e mirë vjen prej Zotit, dhe për këtë atij ia kushtojmë veprat tona. Atëherë krejt jeta jonë bëhet lutje.
Zoti u dëftohet atyre që jetojnë në paqe dhe në përvujtni të zemrës. Uji i turbulltë dhe lëvizes nuk e pasqyron fytyrën e atij që rri buzë lumit. Nëse dëshiron që fytyra e Krishtit të jetë e dukshme në fytyrën tënde, dhe kështu të jesh i krishterë i vërtetë, atëherë përqendrohu në heshtje dhe mbylli dyert e shpirtit tënd para zhurmës së gjërave nga jashtë. Nëse Zoti dëshiron t’i flasë dikujt dhe ta përmbushv me dashuri të vet, atëherë e tërheq atë nga zelli për punë tokësore në vetmi. Ai ia afron veshin atij që hesht dhe kështu ia tregon fshehtesitë e veta.
Jeta shpirtërore nuk ekziston pa lutje. Jeta jone nuk është asgjë tjetër, përpos fryt lutjeje, bashkim me Zotin nëpërmjet Kungimit të shenjtë. Në qoftë se lutesh, do të dish edhe të duash e dëgjosh, pra t’iu dëshmosh këtë dashuri të gjithëve, sidomos atyre që vuajnë e janë të braktisur.
Ne duhet të lutemi, por na shtrohet pyetja: Si të lutemi sot? Lutja më e bukur është ta shikosh Jezusin e kryqëzuar, i cili vuan aq shumë, i cili vdiq dhe u ngjall për shëlbimin e të gjithë njerëzve. E shikoj, më shikon! E dua, me do! Kjo është lutja më e përsosur, me vetëdije e siguri se ai na shikon, përcjellë dhe kërkon që në çdo hap ta thërrasim, që ta njohim. Ne mundemi ti drejtohemi Krishtit dhe ti themi: „O Jezu, sa ëmbël është të shërbej, që edhe ne të vuajmë së bashku me ty!“ Lutja e zmadhon zemrën dhe e bën të lirë, që të mund ta duam Jezusin. Lutja është ushqim i jetës shpirtërore.
Në qoftë se dëshiron të lutesh më mirë, duhet të lutesh më shumë. Zoti i pranon dhe i kupton dobësitë tona, mëkatet tona dhe qëndrimin tonë. Lutja për ne do të thotë të flasesh me Zotin, i cili është Ati ynë. Ai eshte jeta ime, fuqia ime, dashuria ime qv nuk mbaron kurrë. Fryti i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është shërbimi. Kjo është dashuri e vërtetë, e cila flijohet dhe na dhurohet gjithë neve.
Jezusi thotë: „Zgjedha ime është e embël dhe barra ime është e lehtë!“ Ja, si është dashuria në vepër, sepse ne besojmë në krejt çka bvjmë, bëjmë për shkak te Jezusit. Të jesh i madh para Zotit do të thotv: të jesh i përvuajtur, të duash, të lutesh, të dashurosh dhe tv falesh. Nv qoftë se flas me ty, flas me Jezusin, në qoftë se jam me ty, jam edhe me Jezusin.
Lutja është gëzim, gëzimi është forcë e jetës shpirtërore. Gëzimi është dëshmia e Jezusit të ngjallur. Zoti i do ata të cilët i dhurohen me gëzim. Dashuria e cila nuk njeh kufij dhe e cila nuk dorvzohet, as para urrejtjes, as para armiqëve, sepse unë po iu themë: „Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata qv ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të keqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjneëkaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bejnë të njëjten gjë edhe paganët? Jini, pra të përkryer siç është i perkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”“ (Mt 5, 44-48).
Lutja është bisedë me Zotin apo lartësim i mendjes dhe i zemrës te Zoti
Kemi lutjen mendore dhe lutjen gojore. Në çdo lutje më së pari dëgjojmë çka na thotë Zoti neve – duke lexuar Biblën, apo duke u përqendruar në frymëzimet e tija, apo në fjalët e tija tashmë të njohura. Pastaj edhe ne Atij i përgjigjemi me fe. Në lutjen tonë mund të na ndihmojnë shumë edhe formulat e lutjes, të cilat tradita e Kishës i kultivon me shekuj.
Sigurisht që lutja është mjeti më i mirë për ta përjetuar dorën e Zotit në jetën tonë. Sidomos në vështirësitë e jetës kemi rast më shumë t`i afrohemi dhe „ta kuptojmë“ ç`bëri Ai për ne, si e mbarti kryqin e jetës për t`u solidarizuar me të gjithë ata që do ta mbartin kryqin e jetës. Rruzarja është një varg kokrrash (rruzash) me 58 copë, të ndara me pesë dhjetëshe, me nga një kokërr ndërmjet dhe me tri të tilla te kryqi, te cilat kalohen me numërim nepër gishta, duke thenë lutje (uratë). Thuhet 5 herë dhjetëshja e „Të falemi Mari“, e paraprirë secila nga një „Ati ynë“ dhe „Lavdi Atit“, e shoqëruar me ngjarjet e një prej 20 mistereve, krijuar nga Shën Domeniku, në vitin 1206, per nder të Virgjërës Mari.
Rruzarja është devocion (përshpirtëri) që konsiston në meditimin e ngjarjeve kryesore të jetës së Zojës dhe Krishtit Zot duke recituar për secilën nga këto pika meditimi, dhjetë „Të falemi Mari“ dhe një „Lavdi Atit“, të cilat recitohen (dikur janë kënduar nga të moshuarit) me rruzare.
Është quajtur „Rruzare“ duke qenë se lutjet ishin si lulet e një kurore mistike për nder të Zojës Mari. Është vështire të themi vitin e saktë të krijimit të devotshmërisë së Rruzares. Mirëpo Papa Piu V në vitin 1571 pati krijuar titullin Zoja Rruzare, me të cilin festohet Zoja, të dielën e parë të tetorit, në perkujtim të Fitores së Lepantos, mbi Perandorinë Otomane. Pra rezulton se është devotshmëri para-mesjetare.
Zoja e Bekuar na çon te Jezu Krishti
Rruzarja është lutje që nuk vjetrësohet kurrë, sepse mbi të gjitha, është krejt e thjeshtë. Mund të themi se është aq e thjeshtë, sa t’i vëllazërojë të gjithë. Por njëkohësisht është edhe tejet e thellë, sepse lutje kristologjike. E këtë e ka nënvizuar në mënyrë të veçantë Shën Gjon Pali II, duke kujtuar se „Rruzarja na bën të meditojmë për jetën e Jezusit, së bashku me Virgjërën Mari. Së fundi, mund të themi se është lutje e përvujtë, sepse përsëritet. Kush përsërit, është njeri i përvujtë. E s’ka gjë më të pëlqyeshme për Zotin, sesa përvujtëria. Po duhet kujtuar se Rruzarja është edhe lutje plot dashuri. Kur e duam fort dikë, ia përsërisim të njëjtën gjë një mijë herë. Nëna s’lodhet kurrë s’i thëni fëmijës së vet: “Shpirti i nënës, zemra e nënës”. Është uratë e përshtatshme si për njeriun e vetëm, ashtu edhe për gjithë familjen. Kur familjet e thonë së bashku Rruzaren, jeta e tyre ndryshon. Rruzarja është uratë që të çon drejt misterit të Krishtit, të prin drejt bashkimit me Jezusin. Prandaj mund të themi edhe se Maria e do Rruzaren, sepse Maria dëshiron të na marrë për dore e të na çojë te Krishti. Dikush, duke folur fare pa menduar, ka thënë se Maria mund të na largojë nga Jezusi, por kjo as që duhet të na shkojë nëpër mend, sepse Maria ka gjithnjë në gojë vetëm një emër: “Jezus!”; vetëm një porosi: “Bëni atë që do t’ju thotë Ai! Çkado t’ju thotë Jezusi, bëjeni, dëgjojeni!”. Kjo është detyra e Marisë, ky, misioni i saj: ajo nuk na do për vete, por për Krishtin. E me që Rruzarja është uratë që të çon tek Jezusi, madje të bën të ecësh në gjurmët e Krishtit, s’ka sesi të mos jetë tepër e dashur për Marinë. Mund të themi se është lutja që kryen misionin e saj. Është lutja, përmes së cilës Maria na prin drejt intimitetit me Jezusin, drejt bashkimit me Jezusin e, prej këndej, na ndihmon të bëhemi më besimtarë, më të kritshterë. E kjo, sepse duke u bërë marian, bëhesh edhe kristian.
Maria është gruaja që na edukon me frymën e lirisë. Njerëzit e kohëve tona nuk janë më në gjendje të kuptojnë ç’do të thotë liri. Për disa, liri do të thotë të jetosh si të teket; për të tjerë, liria është plotësimi i kërkesave egoiste, pa shikuar majtas as djathtas; të tjerë arrijnë deri atje, sa ta konsiderojnë ligësinë si liri të vërtetë. Kështu pra, njerëzit nuk janë më në gjendje ta kuptojnë ç’është liria. Maja më e lartë e lirisë njerëzore është çasti kur Maria, në shtëpinë e vogël të Nazaretit, duke iu përgjigjur lajmit që i sillte Engjëlli, tha: “Ja shërbëtorja e Tënzot”. Atë çast Maria u bë gruaja më e lirë.
Është dëm që shumë besimtarë ende nuk e kanë zbuluar pasurinë e këtij devocioni (përshpirtërie) ndaj Zojës së Bekuar. Për shkak boshllëkut shpirtëror që lind nga mosushqimi i shpirtit me lutje atëherë jemi në tundim që të lypim në vende shpesh herë të gabueshme për ta shuar këtë uri. Është shumë e çmueshme dhe ngushëlluese kur sheh që edhe të rinj, por sidomos pleqtë e plakat tanë të dashur, ende e gjejnë paqen në lutjen e Rruzares shenjte dhe këtë mundohen t’ua mësojnë edhe pasardhësve të tyre.
Aarau, 7 tetor 2022
Festa e Zojes Rruzare