Sot, e Diela e tretë e Kreshmëve, duke kometuar një nga faqet më të bukura të Ungjillit sipas Gjonit, atë që përshkruan takimin e Jezusit me Samaritanen (krh Gjn 4,5-42) Papa u ndalua tek përulja e Zotit: në Jezusin, Zoti bëhet një nga ne; i etur si ne, që vuan nga vapa jonë. Duke e soditur këtë skenë, secili prej nesh mund të thotë: Zoti, Mësuesi, “ai që flet, po më kërkon një pikë ujë. Ka etje, si unë! Etjen time! E etjen e vendeve, që nuk kanë ujë!”.
Historia e Ungjillit të sotëm mund të tregohet me pak fjalë: episodi ungjillor hap para nesh një skenë prekëse, pranë një pusi, në Samari, ku Jezusi dhe dishepujt ndalojnë për të shuar etjen. Pas tyre aty vjen në grua e Jezusi i thotë: „Më jep të pi“ (v. 8).
Do të doja të ndalesha pikërisht tek kjo shprehje – pohoi Papa – Më jep të pi!”
Në këtë skenë e shikojmë Jezusin të etur dhe të lodhur, duke u takuar me samaritanen te pusi në orën më të nxehtë, në mesditë, dhe duke i kërkuar, si lypës, freskim: “Pamje e përuljes së Zotit: në Jezusin, Zoti bëhet një nga ne; i etur si ne, që vuan nga etja jonë. Duke e soditur këtë skenë, secili prej nesh mund të thotë: Zoti, Mësuesi, ‘ai që flet, po më kërkon një pikë ujë’. Ka etje, si unë! Etjen time!”.
Nuk mund të mos ndalohesh edhe ti pranë këtij pusi, ku sot ndalohet Zoti yt. E të mos i flasësh me zërin e shpirtit. Ti je vërtet afër meje, o Zot! Je i lidhur me varfërinë time… më more nga fundi, nga fundi i fundit të vetvetes, ku nuk mund të arrij askush” (P. Mazzolari, La Samaritana, Bologna 2022, 55-56):
“Etja e Jezusit nuk është vetëm fizike, ajo shpreh etjet më të thella të jetës sonë: e, sidomos, etjen tonë për dashuri. E kjo do të duket qartë në çastin kulmor të mundimeve, në kryq; atje, para se të vdesë, Jezusi do të shqiptojë fjalët: „Kam etje“ (Gjn 19:28).
Po! Zoti, që kërkon të pijë, është po ai, që të jep të pish: duke takuar gruan samaritane, ai i flet asaj për ujin e gjallë të Shpirtit Shenjt. E nga kryqi, prej kraharorit të tij të përshkuar tej e ndanë nga heshta, rrjedh gjak e ujë. (krh. Gjn 19:34).
Koha kalon me shpejtësi. Afrohet dita tragjike e Kryqëzimit, ngarkuar me dhimbje, me etje, me gjak, por edhe me shpresë. Pas saj vjen Ngjallja e Zotit, e përmes saj, edhe jona. Nis një jetë e re, pas Kryqit. Jetë që mund ta rijetojmë përmes shfletimit të vazhdueshëm të Ungjillit e që na paraqet çastet tragjike, por edhe të bukura e magjepsëse të Jezusit, në qendër të vëmendjes së Atit të Shenjtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Sot, një nga takimet më të bukura të Krishti. Ai me gruan samaritane (krh. Gjn 4,5-42).£Papa e përfundoi lutjen e sotme të Engjëllit me një breshëri pyetjesh, për t’u medituar në këtë javë të re kreshmore, që po na çon me shpejtësi drejt Pashkëve të ngjalljes. Sot, pra – kujtoi – mund ta pyesim veten: a kam etje për Zotin? A e kuptoj se kam nevojë për dashurinë e tij, si për ujin, pa të cilin nuk mund të ketë jetë? E pastaj: a shqetësohem për etjen e të tjerëve?
Në përfundim, menjëherë pas këtyre pyetjeve jetike për çdo njeri, Papa, si zakonisht, i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë, për të ecur në këtë rrugë e për t’u ndaluar “pranë puseve”, që na ndihmojnë për të shuar etjen tonë e atë të të tjerëve:
“Zoja ndërmjetësoftë për ne dhe na ndihmoftë në rrugën tonë”.
/RV