Kisha katolike e nderon Virgjërën Mari në mënyrë të veçantë dhe e përgjëron Hyjin përmes saj. Rruzarja është nderimi më i madh që Kisha i bën Virgjërës Mari dhe përmes të cilës fiton hire dhe mëshirë prej Hyjit dhe lidhet me Birin e saj Jezusin përmes mistereve ungjillore. Rrugullisht ishte dashur që rruzarja të thuhet me një fill të bekuar rruazash me kryq druri (në përkujtim të vdekjes së Krishtit). Rruzarja fillon me shenjën e kryqit: Në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt. Pastaj vijon Besojma: Besoj në një Hyj të vetëm…, thuhet 3 herë Të falem Mari… dhe fjalës „Jezusi“ i shtohet :
Jezusi, i cili na shtoftë fenë.
Jezusi, i cili na forcoftë paqen.
Jezusi, i cili na ndeztë dashurinë.
Pastaj thuhet lavdithurja e vogël: Lavdi Atit… dhe lutja e Fatimës:
O Jezusi im, na i fal mëkatet tona,
na shpëto nga flaka e ferrit,
çoji në Qiell të gjithë shpirtrat,
sidomos ata, që kanë më shumë nevojë
për mëshirën tëndë. Amen
Pastaj fillon dhjetëshja e parë me Ati ynë, 10 herë Të falem Mari…, duke shtuar pas secilës misterin, p.sh.: Jezusi, të cilin, o Virgjër, e ngjize për virtyt të Shpirtit Shenjt. Në përfundim të dhjetëshes thuhet lavdithurja e vogël Lvadi Atit…, pastaj lutja e Fatimës: O Jezusi im…. Fillon dhjetëshja e dytë me Ati ynë, thuhen prapë 10 herë Të falem Mari… duke e shtuar misterin tjetër: Jezusi, të cilin, o Virgjër, e mbarte te Elizabeta, dhe kështu me radhë.
Rruzarja mund të përfundojë me litani. Mund të thuhet për shpirtrat e purgatorit një Requiem aeternam:
Epu, o Zot, pushimin e pasosur!
I ndritë drita e pambaruar!
Pushofshin në paqe.
Amen!
duke e ndjekur një Ati ynë dhe Besojma në fund.
Shenjat e gëzimit
1. Jezusi, të cilin, o Virgjër, e ngjize për virtyt të Shpirtit Shenjt
Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1,31-32). “Lajmërimi i bërë Marisë hap ‚plotësimin e kohës’ (Gal 4,4): Premtimet shkojnë kah përmbushja, përgatitjet kanë marrë fund” (KKK, 484).
2. Jezusi, të cilin, o Virgjër, e mbarte te Elizabeta
“Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” (Lk 1,44).
“Në ‚vizitën’ e Marisë te Elezabeta ashtu vetë Hyji ‚e ka vizituar popullin e vet’” (KKK, 717).
3. Jezusi, të cilin, o Virgjër, e linde në Betlehem
“Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin, për të shndëritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes” (Lk 1,78). “E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë” (Gjn 1,14). “Jezusi erdhi në botë në varfërinë e një shtalle, në një familje të pakamur; barinjtë e thjeshtë janë dëshmitarët e parë të ngjarjes. Në këtë varfëri shndrit madhëria e qiellit” (KKK, 525).
4. Jezusi, të cilin, o Virgjër, në tempull e kushtove
“Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit” (Lk 2,29-32) „Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë “ (Lk 2,34). “Rrethprerja e Jezusit në ditën e tetë pas lindjes së tij është shenjë se ai është i përfshirë në trashëgiminë e Abrahamit, në popullin e besëlidhjes dhe i nënshtruar ligjit” (KKK, 527).
5. Jezusi, të cilin, o Virgjër, në tempull e ke gjetur
“Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lk 2,49). “Rigjetja e Jezusit në tempull është e vetmja ngjarje e cila thyen heshtjen e ungjijve për vitet në heshtje të Jezusit. Jezusi në këtë lejon të parandjehet misteri i tërë dhurimit të tij në dërgim, e cila tregohet nga prejardhja e tij hyjnore: ‚A nuk e dinit, se më duhet të jem në atë që i përket Atit tim?’ ” (KKK, 534).
Shenjat e dritës
1. Jezusi, i cili u pagëzua nga Gjoni
„Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!“ (Mt 3,16-17). “Gjoni në predikimet e veta thoshte: Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tij. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt (Mk 1,7-8). „Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur drejt tij e tha: Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!“ (Joh 1,29-30. “Gjoni dëshmoi edhe: E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ Unë e pashë dhe dëshmoi: Ky është Biri i Hyjit“ (Gjn 1,32-34). “Në fillim të shfaqjes së vet botërisht Jezusi u pagëzua nga Gjoni në Jordan. Gjoni predikonte ‘kthimin dhe pagëzimin për faljen e mëkateve’ (LK 3,3)” (KKK, 535).
2. Jezusi, i cili u dëftua gjatë dasmës në Kanë
“Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: Nuk kanë më verë! Jezusi i tha: Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime! Nëna e tij u tha shërbyesve: Bëni gjithçka t’ju thotë!” (Gjn 2,3-5) . “Në fillim të shfaqjes së vet botërisht Jezusi – në lutjen e nënës së vet – bëri mrekullinë e parë në një dasmë. Kisha i jep rëndësi të madhe pjesëmarrjes së Jezusit në dasmën e Kanës. Ajo vë re në të miratimin se martesa është diçka e mirë, dhe paralajmërimin, se martesa këtej e tutje do të jetë shenjë vepruese e pranisë së Krishtit” (KKK, 1613).
3. Jezusi, i cili shpalli Mbretërinë e Hyjit
“Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte: Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit! (Mk 1,14-15).
„Atëherë zbriti në Kafarnaum, qytet i Galilesë dhe mësonte ditën e shtunë. Njerëzit i magjepste mësimi i tij, sepse fjalën e kishte plot autoritet“ (Lk 4,31-32).
“Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!“ (Lk 11,20) “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është. Mos u çudit që të thashë: Duhet të lindni përsëri prej së Larti“ (Gjn 3,5-7). “Të gjithë njerëzit janë të thirrur që të hyjnë në mbretërinë e Hyjit. Kjo mbretëri mesianike së pari iu shapll fëmijëve të Izraelit, por është e përcaktuar për të gjithë njerëzit e të gjithë popujve” (KKK, 543).
4. Jezusi, i cili u shdrrua në mal
„…Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu“ (MK 9,2-3). „Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri“ (Mk 9,9). “Për një çast Jezusi bën të shndrisë madhëria e tij hyjnore dhe atë e vërteton rrëfimi i Pjetrit. Ai tregon po ashtu, që ai, ‘për të arritur madhërinë e vet’ (Lk 24,26), duhet të vuajë vdekjen në kryq në Jerusalem” (KKK, 555).
Shenjat e mundimit
1. Jezusi, i cili për ne ka pikuar gjakun
„O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullneti im, por vullneti yt! Atëherë iu dëftua një engjëll nga qielli që i dha zemër. Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë“ (Lk 22,42-44). “Por tani një fitore në një luftë të tillë është e mundur vetëm në lutje. Jezusi mposhti tunduesin që nga fillimi e deri në luftën e fundit në frikën e vdekjes së vet përmes lutjes” (KKK, 2849).
2. Jezusi, i cili për ne është frushkulluar
„Pilati tha: Këtë njeri e sollët para meje duke e paditur se po nxit në kryengritje, dhe, ja, unë e pyeta para jush e nuk i gjeta kurrfarë faji, për të cilin ju e paditni. Por, as Herodi, pasi e ktheu prapë tek ne. Ja, pra, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj, do ta ndëshkoj e pastaj do ta lëshoj“ (Lk 23,14-16). „Mundimet e Krishtit përmbajnë formën e vet konkrete historike përmes asaj, që ai ‚u denua nga pleqët, kryepriftërinjtë dhe mësuesit e ligjit (Mk 8,31), të cilët atë ‘ia dorëzuan paganëve, që të përqeshet, të frushkullohet dhe të kryqëzohet’ (Mt 20,19)” (KKK, 572).
3. Jezusi, i cili për ne me therra është kurorëzuar
„Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha: Ja, Njeriu! Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën: Kryqëzoje, kryqëzoje! Merreni ju e kryqëzojeni ‑ u tha Pilati ‑ se unë nuk gjej në të farë faji“ (Gjn 19,5-6). „’Dashuria deri në fund’ (Gjon 13,1) i jep flisë së Krishtit vlerën e vet dhe bën, që ajo të shëlbojë dhe të ripërtëritë, të shpaguajë dhe të sjell kënaqësi. Jezusi gjatë flisë së jetës së vet na ka njohur të gjithëve, na ka dashur të gjithëve” (KKK, 616).
4. Jezusi, i cili për ne kryqin e ka mbartur
„Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka” hebraisht “Golgota” (Gjn 19,17). „Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën një farë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit“ (Lk 23,26). „Me vullnetin e vet njerëzor miraton, që të ndodhë vullneti i Atit, dhe e pranon vdekjen porsi Shpëtimtar, ‘për të mbartur mëkatet tona me trupin e vet në dru’ (1 Pj 2,24)” (KKK, 612).
5. Jezusi, i cili për ne është kryqëzuar
„Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë !“ (Lk 23,33). „Dielli u zu e kultrina e Tempullit u nda përmes. Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha: O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!“ (Lk 23,45-46).
“’Krishti vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi i Shenjtë’ (1 Kor 15,3)” (KKK, 619).
Shenjat e lumturisë
1. Jezusi, i cili u ngjall së vdekuri
„Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? Ai s’është këtu! U ngjall!“ (Lk 24,5). “Jezusi u tha: Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” (Lk 24,38-39). “’Në qoftë se Krishti më të vërtetë nuk është ngjallur, i kotë është predikimi ynë, i kotë besimi juaj’ (1 Kor 15,14). Ngjallja paraqet para së gjithave vërtetësinë për tërë atë, që Krishti ka bërë dhe mësuar” (KKK, 651).
2. Jezusi, i cili u ngjit në Qiell
„Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin se si ai ngritej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, pse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezus, që prej jush u ngrit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!“ (Vep1,10-11). “Kjo shkallë e fundit e madhërimit mbetet e lidhur ngushtë me të parën, domethënë me zbritjen nga Qielli në të mishëruar. Vetëm ‘kush ka zbritur nga Ati’ ka mundësi ‘të kthehet te Ati’: Jezusi” (KKK, 661).
3. Jezusi, i cili na e dërgoi Shpitin Shenjt
„Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe deri në skajin e botës“ (Vep1,8). „’Shpirti Shenjt’ është emër për atë, të cilin ne së bashku me Atin dhe me Birin e adhurojmë dhe e madhërojmë. Kisha e ka marrë këtë emër nga Zotëria dhe ua shqipton atë gjatë pagëzimit fëmijëve” (KKK, 691).
4. Jezusi, i cili, o Virgjër, të ngriti në Qiell
“Sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur: ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur“ (Lk 1,48). „Pas mbarimit të rrjedhës së jetës së vet tokësore Virgjëra Mari qe marrë me korp dhe me shpirt në madhërinë e Qiellit, ku tanimë merr pjesë në lumturinë e ngjalljes së Birit të vet dhe“ (KKK, 974).
5. Jezusi, i cili, o Virgjër, të kurorëzoi në Qiell
„Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm ‑ i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni më brezni për ata që e druajnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre i lartësoi të përvuajturit“ (Lk 1,47-52).
„Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhejtë yje!“ (Zb 12,1) . „Përfundimisht Virgjëra e papërlyer, qe ruajtur nga çdo njollë e mëkatit të rrjedhshëm, pas mabrimit të jetës tokësore qe marrë me trup dhe me shpirt në lumturinë qiellore dhe lartësuar nga Zoti si Mbretëreshë e rruzullimit, për t’i përngjarë Birit të vet të përsosur, Zotërisë së Zotërinjve dhe Fituesit mbi vdekjen dhe mëkatin“ (KKK, 966).
Add Comment