Hyji nuk çon të këqija në Botë, sepse Hyji është Dashuri!
A e ka dërguar Zoti pandeminë Koronavirus?
Nga Don Albert Jakaj
Këtyre ditëve shumë njerëz pyesin kah erdhi ky virus?! Sipas statistikave termi „koronavirus“ ose „covid-19“ janë më të kërkuarat në Google dhe makinat tjera kërkuese në internet. Poashtu në vitin 2020 është tema më aktuale në të gjitha gazetat më prestigjoze botërore, në kanalet televizive dhe në rrjetet sociale. Duke ju përgjigjur pyetjes disa pohojnë se po (fatkeqësisht me keqdashje), ndërsa disa tjerë pohojnë jo! Pra ku qëndron e vërteta? Thelbi është se ne nuk e dimë përgjigjen e saktë në këtë pyetje, edhe pse shkenca ka teza të ndryshme rreth Covid-19. Edhe pse teoritë e konspiracionit nuk mungojnë as kësaj radhe, nga ato se virusin e ka krijuar dora e njeriut, deri tek ato se qeveritë po gënjejnë, e vërteta është se askush nuk e di të vërtetën e plotë. Sidoqoftë për ne si besimtarë nuk është prioritet dhe as dëshirë, sado kurreshtar të jemi, që të dimë origjinën e këtij virusi! Për besimtarin e rëndësishme është se përmes Fjalës së Zotit – Shkrimit Shenjt, Hyji na flet qartë për të kuptuar pse koronavirusi sot në Botë? Natyrisht se si besimtar duhet të mbështetemi te Bibla! Pra duke lexuar Fjalën e Zotit menjëherë do të kuptojmë se Zoti nuk e ka dërguar Koronavirusin te njerëzimi, siç mund të pohoj ndonjë njeri, por njëkohësisht kjo situatë e rëndë është vullneti i Zotit! Si mund ta kuptojmë këtë? Pra nuk është dëshirë e Zotit, por është vullneti i Zotit! Zoti nuk e do vdekjen, as vuajtjen e njeriut, sepse e ka krijuar njeriun të jetë i lumtur. Pra lumturinë e vërtetë e gjen njeriu kur të kthehet tek Zoti. Duke lexuar Shkrimin Shenjt shkruan: „Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë.“ (krah. Urtia 1, 13). Sipas Shkrimit Shenjt vdekja ka ardhë përmes mëkatit. „Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet; por, prej smirës së djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij.“ (krah. Urtia 2, 23-24). Vdekja pra është e dhimbshme dhe e frikshme. Ajo është ndarje mes shpirtit dhe trupit, ndonëse edhe shpirti edhe trupi janë vepra të Zotit. Trupi duhet të vdes para shfaqjes përfundimtare dhe ardhjes së Jezusit për herë të dytë në botën tonë. Dhe kjo ka ardhur si pasojë e mëkatit të rrjedhshëm të Adamit dhe Evës. Jo se Zoti e do vdekjen, por e merituam atë me vullnetin tonë të ëmbël dhe me zgjedhjen dhe përcaktimin tonë. Zoti respekton vullnetin tonë të lirë dhe përcaktimin. Pra edhe kur njeriu s‘është besnik ndaj Krijuesit, megjithatë Zoti gjithmonë është besnik ndaj krijesës së vet.
Çfarë bën Zoti në këto rrethana që po përjeton njerëzimi? “Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur.” (krah. Rom. 8, 28). Hyji është i Gjithëpushtetshëm, Hyji drejton historinë, Hyji i përdor edhe veprat tona të këqija për të mirën tonë. Këtë më së miri na e tregon edhe historia e Jozefit egjiptas në Besëlidhjen e Vjetër. Vëllezërit e tij nga zilia dëshironin ta heqnin qafe atë dhe ta shitnin në Egjipt. Kështu që përmes këtij veprimi të keq dhe me ndihmën e Jozefit, Hyji i shpëtoi hebrenjtë nga uria dhe vdekja. (krah. Zan 37-50). Ai lejoi të keqen, që të bëjë të mirën e madhe! E tani çfarë ka bërë që të lind virusi? Nga pakujdësia e njeriut, apo nga abuzimi i lirisë së njeriut? Apo është një teori konspirative? Ne nuk e dijmë, por me këtë duhet të mirret shkenca. Me besim dhe fe sipas Shkrimit Shenjt e dijmë: Zoti e ka lejuar këtë dhe që përmes kësaj Zoti dëshiron që ne të fitojmë diçka më të mirë dhe më cilësore. Sikurse edhe vetë Jezusin e kanë përqeshur, tallur, poshtërsuar, torturuar, përvujtëruar, kryqëzuar dhe vdes në Kryq, gjë që në vetvete nuk është mirë, por përmes vdekjes ia ka sjellë njeriut shëlbimin, pra ia ka hapur dyert e Parajsës dhe lumturinë e amshueshme. Kështu pra duhet ta lexojmë edhe Covid-19. Shumë jemi tokësor dhe logjikojmë si tokësor. Harrojmë se jemi dhe duhet të drejtohemi kah Qielli, sepse Zoti e do shëlbimin e njeriut. Jeta e shenjtërve e dëshmom vazhdimisht këtë të vërtetë. Besojmë se Zoti është Zot i botës dhe historisë, por rrugët e Tij shpeshherë për ne janë të panjohura. Vetëm në fund, kur ky realizim ynë i pjesshëm të këtë mbaruar, pra kur do ta shohim Hyjin “ballë për ballë”, do të jemi plotësisht të vetdijshëm, që përmes vuajtjes dhe vdekjes së tij, ai i jep një kuptim të ri vuajtjes, e cila nëse është e lidhur me të, mund të bëhet mjet për pastrim dhe shëlbim për ne dhe për të tjerët (krah. KKK, 314).
Si përfundim, nëse ky virus ka ardhur nga njeriu, përgjigjen duhet ta gjejmë te njeriu. Prandaj, mos të kemi frikë! Zoti është me ne dhe pranë nesh. Zoti e ka krijuar njeriun, dhe për dashurinë e madhe që ka Zoti për njeriun, kurrë nuk do ta braktis atë. E krejt në fund, të kemi më shumë kujdes virusit shpirtëror, se këtij virusi që e kapluar Botën mbarë, që njerëzimi e quan me termin „koronavirus“. Me një fjalë: Me kokën lartë, por të ulemi në gjunjë. Vetëm në adhurim dhe lutje, do t‘i kuptojmë misteret e Hyjit dhe do t‘i lexojmë plotësisht shenjat e kohës. Sepse shkolla e përvujtërisë është vetë shkolla e Shenjtërisë.