Mons. Milorad Defar
(Bosanski Brod, 02 shkurt 1924 – Podgoricë, 26 mars 2009)
Shkruan: Don Albert Jakaj
Nëse për ndonjë njeri mund të thuhet atëherë me siguri edhe për Don Milën, fjalët e Shën Palit: “Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta.”(2 Tim 4, 7).
Me 26 mars, në Podgoricë, në moshën 85 vjeçare, ndërroi jetë meshtari kroat Don Milorad Defar. Në familje quhej “Milo”, ndërsa “Don Mila” quhej nga besimtarët katolikë shqiptarë. Meshtar i Ipeshkvisë së Prizrenit, ndërsa përfundimisht në penzion del me dekret të Ordinariatit Arqipeshkvor të Tivarit, me 18 janar 1997.
Don Mila, tërë jetën e tij meshtarake e kaloi në popullin shqiptar. Në shkrimet e tij e ka përshkruar veten si “kroat i shqiptarizuar”.
Të dhëna biografike
Don Miloradi, lindi me 02 shkurt 1924 në Bosanksi Brod nga prindërit Anton e Maria Defar, ku prindërit e tij kishin ardhur nga Istra (Kroaci). Pagëzohet me 17 shkurt 1924 në Kishën e Shën Elisë Profet në Bosanski Brod. Katër klaset e para (1930-1934) i kreu të Murgeshat e Shën Kryqit, në Bosanski Brod, ndërsa Gjimnazin shtetëror (1935-1944), në Slavonski Brod. Studimet filozofike e teologjike (në vitet 1945-1951) i fillon dhe mbaron në Zagreb.
Shugurimi Meshtarak bëhët me 02 korrik 1950, në Katedralen e Zemrës së Krishtit në Shkup, prej duarve të Ipeshkvit të atëhershëm Mons. Smiljan Franjo Çekada, Ipeshkëv i Shkupit dhe Administrator Apostolik i Banja Lukes.
Veprimtaria pastorale
Don Mila, sapo shugurohet, zëvendëson përkohësisht në famullinë e Mitrovicës (nga 08 tetor 1951 deri 10 shtator 1952). Ndërkohë kryen edhe shërbimin ushtarak në Prilep (Maqedoni).
Me dekret të Ordinarit emërohet kapelan i Don Marjan Gllasnoviq-Shala në Gjakovë (nga 28 nëntor 1952), njëkohësisht ishte edhe kujdestar i Shenjtërores së Shën Antonit në Gjakovë. Po ashtu zëvendëson famullitarin e Novo Sellës, për arsye në atë kohë Don Nikollë Mini, ishte në shërbimin ushtarak.
Me dekret të Ordinarit emërohet administrator i famullisë së Gucisë (nga 24 tetor 1953 deri 13 tetor 1961), fshat nën Bjeshkët e Nëmuna. Ndërton Shtëpinë e parë famullitare në Guci (Mali i Zi) me 1957. Për arsye se mbante Mësim Feje nëpër shtëpia e burgosin: për 2 muaj në vitin 1956, 15 ditë në 1958, 15 ditë në 1959. Famullia e Gucisë në atë kohë numëronte rreth 1800 besimtarë, duke pasur parasysh se kishte shumë familje te emigruara nga Shqipëria. Familjet edhe pse jetonin nëpër male dhe në një varfëri të skajshme, megjithatë feja e tyre në Krishtin ishte e thellë.
Emërohet administrator i famullisë (“administratorom in spiritualibus”) i Bishtazhinit (atëherë Smaq), që nga 13 tetor 1961 deri 04 dhjetor 1964. Prej 1964 deri 1966 është famullitar në Zym. Përsëri kthehet në Bishtazhin, prej vitit 1966 deri 15 prill 1987. Ai qendrën e famullisë nga Smaqi e kaloi në Bishtazhin. Sepse Kisha e vjetër dhe selia famullitare në Smaq ishte larg besimtarëve, ndërsa Bishtazhini ishte pothuajse në qendër të fshatrave përreth. Brenda kësaj kohe ai fillon me ndërtimin e Kishës madhështore, në nder te Zojës Rruzare. Bekimi i gurthemelit bëhet me 18 korrik 1968. Në kohën kur është ndërtuar kisha e Bishtazhinit, sistemi komunist ishte në lulëzim dhe jo vetëm që nuk lejonin ndërtimin e kishës, por me çdo kusht pengonin edhe aktivitetet e Kishës Katolike. Për leje kërkoheshin të paktën tre projekte të ndryshme. Komuna dha leje vetëm për projektin më të vështirë, për të cilin mendonin se realizimi i tij do të jetë i pamundshëm në rrethanat e asaj kohe. Por Don Mila, me ndihmën e Zotit dhe të bamirësve, ka arritur të ndërtojë atë Kishë, e cila është një ndër kishat më të bukura që kemi në Dioqezën e Kosovës, me të drejtë Mons. Nikë Prela këtë Kishë e quante “Miss-i i Kosovës”.
Gjatë kësaj kohe, ka kryer edhe këto detyra në nivelin dioqezan: anëtar i Gjyqit kishtar (1970), Dekan i Dukagjinit (3 vite), konsultor-këshilltar (6 vite). Nga Bishtazhini, me vite ka shërbyer edhe famullinë e Gucisë.
Prej vitit 1988 deri 1990, shërbeu si misionar për shqiptarët në Kroaci (Zagreb). Me 13 tetor 1990 ka një fatkeqësi më makinë në komunikacion, në Deçan. Me 17 mars 1991 fillon të kremtoi Meshën Shenjte për besimtarët tanë në Gjuhën shqipe në Kishën e Shën Rrokut, në Zagreb.
Që nga viti 1993, Don Mila shërben në Shqipëri (Shkrel, Bogë, Reç…). Ndërsa me dekret të Imzot Zef Gashit, Arqipeshkëv i Tivarit me 18 janar 1997, emërohet Famullitar i Nikshiqit dhe Rrëfyes i Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer.
Me vdekjen e Mons. Simon Filipaj, kalon famullitar në Shën Gjergj e Kllezën, prej vitit 1999 deri 2001. Në këtë kohë pranon titullin e nderit “Monsinjor” nga Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II, me 05 maj 1999. Pleqërinë e kaloi në Tivar, te Arqipeshkvi, Imzot Zef Gashi, që nga fillimi i vitit 2001 deri 2008.
Në vitet e fundit të jetës së tij, në kohën e sëmundjes, i kanë shërbyer Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer në Podgoricë, ku edhe ndërroi jetë.
Meshën e Dritës në Kishën e Zemrës së Krishtit në Podgoricë, e ka udhëhequr Mons. Zef Gashi, Arqipeshkëv i Tivarit. Së bashku kanë koncelebruar edhe Mons. Ilija Janjić, Ipeshkëv i Kotorri dhe 20 meshtarë nga Mali i Zi, Kosova e Shqipëria. Në Meshë kanë marrë pjesë shumë Motra Françeskane të Zojës së Papërlyer dhe shumë besimtarë nga Podgorica, Shën Gjergji, Bishtazhini e Shkreli.
Varrimi i Don Miloradit u bë të shtunën, më 28 mars, në ora 12.00 në Pozhega (Kroaci), ku janë edhe varrezat familjare të familjes Defar.
Don Mila, meshtar shembullor
Dioqeza e Kosoves (Ipeshkvia e Prizren-Prishtinë), ka humbur nje Meshtar të devotshëm, i zellshëm, i urtë dhe i dashur për të gjithë besimtarët. Vdes një ndër meshtarët më të përshpirtshëm dhe i dhënë për fenë e Kishën, sidomos uratën, që kam pas rast të njoh gjatë qëndrimit tim në Tivar. Kam ndenjë shumë orë me të. Kishte shumë qef të luante shah.
Herën e fundit e kam taku në Kuvendin e Motrave Françeskane, në Podgoricë. E kam vështirë të përshkruaj përmallimin që ka pas kur ka koncelebru Meshën Shenjte me Imzot Zef Gashin, sidomos kur e ka marrë Kungimin.
Don Milë, dëshiroj të falëndëroj edhe me anë të këtij artikulli, për të gjitha ato çaste që kemi kaluar së bashku. Mendimet dhe sjellja jote do të më mbesin gjithmonë në kujtesë. Jam i gëzuar, njëkohësisht ndjej dhimbje që kalove nga kjo jetë tokësore.
Të falënderoj për shembullin se si jetohet jeta meshtarake, për ato çaste me të cilat i kam kaluar me ty. Kam vërejtur përvujtërinë tënde, që më ka forcuar në rrugën time meshtarake. Jam i bindur që Zoti do ta shpërblej gjithë mundin, që e ke treguar për popullin shqiptar.
Don Mila, faleminderit për kontributin e jetën tënde se ia kushtove Krishtit, Kishës e popullit shqiptar.
Imzot Zef Gashi gjatë pretkut në Mshën e Dritës tha: “Don Mila, ka udhëtuar me kal, biçikletë, motor, dikur edhe me makinë. Edhe pse me origjinë kroat, por me zemër shqiptar. Ishte figurë e jashtëzakonshme e një meshtari të thjeshtë, të durueshëm, plotë dashuri e mirësi ndaj çdo personi, krejtësisht i përkushtuar për Kishën e Zotin. Ishte bekim i dioqezes sonë”.
Gëzohu e lumturo, o meshtar i dashur në Parajsën e qiellit – lutu për ne shtegtarët e kësaj jete!
Requiem aeternam dona ei, Domine, et lux perpetua luceat ei.
Requiescat in pace. Amen!
Jepja, o Zot, pushimin e pasosur, e ndritë drita e pambaruar!
Pushoftë në paqe Amen.