Meditime

E Diela e 2. e Kreshmëve

E DIELA E II E KRESHMËVE

Në kërkim të Besëlidhjes së humbur

Pjesa e dytë e Ungjillit na sjell përballë një mali. Mali është simboli biblik i pranisë së Hyjit mes popullit të vet. Na kujtohen të gjithëve: Horebi, mali i Moisiut, Sinai, ku Hyji jep Rrasat e Ligjit; ose mali ku Hyji ia shfaq praninë e tij Elisë në një puhi të lehtë; edhe më, mali i Lumturive ku Jezusi ngjitet për t’i dorëzuar të tijve ligjin e Dashurisë. Edhe sot flitet për male: mali i Jerusalemit, ku Hyji ngjiti Abrahamin për të përforcuar Besëlidhjen e tij duke i folur për bekim e pjellori; mali i Taborit ku Jezusi u shndërrua para nxënësve të tij. Të dielën e shkuar flitej për shkretëtirë, sot duhet ngjitur një mal, të gjitha vende të veçanta për të folur për Besëlidhje.
Noehu me arkën, ylberi që tregon paqen e përjetshme që nënshkruan Hyji me njeriun, na çelën rrugën të dielën e shkuar, sot e ka radhën Abrahami, ati ynë në besim. Ai që “pasi u bind u nis drejt një vendi që duhet ta merrte si trashëgim, dhe u nis pa e ditur ku po shkonte…”.
Abrahami, që e lë veten të mësohet prej Hyjit, që përpiqet ta kuptojë, që ende nuk di si të sillet… Në fillim Hyji i kërkon të lërë shtëpinë e një ati autoritar për t’u çelur ndaj një të ardhmeje të ndryshme, të siguruar nga premtimi i një djali dhe i një pasardhësie të shumtë në numër. Kur më në fund djali, Izaku, lind riparaqitet tema e atit-pronar: Abrahami mund të sillet si i ati me të birin. Në këtë kontekst vendoset prova që Hyji përgatit për Abrahamin.
Kujdes! Tregimi nuk rrëfen për historinë e një flijimi njerëzor që çohet në “dështim” nga Hyji. Nëse në tekstin që lexuam thuhet për një fli njerëzore të kërkuar nga Hyji, në tekstin hebraik urdhri mbetet i dykuptimtë, në fakt teksti thotë: “Merre tët bir, birin e vetëm, dhe çoje atje lart për një fli shkrumbimi”. Nuk bëhet fjalë detyrimisht për të ofruar Izakun si fli. Sigurisht me këtë dykuptimësi në zemër, Abrahami përgatit udhëtimin që i thotë Hyji dhe ngjitet për tri ditë: në heshtje, gojëkyçur, me sytë përdhe, ngjitet, drejt, i humbur në mendimet e veta. A është e mundur vallë që Ai që i ka dhënë një djalë tani t’ia kërkojë mbrapsht? A do vërtet këtë? Të ngjitet në mal me të birin a do të thotë vërtet këtë? Por nëse flijon të birin si i vete halli premtimit? Dilemë e tmerrshme e një ati! Një tragjedi! Cili është qëllimi i kësaj prove? A do ta mbajë Abrahami këtë dhuratë, birin kaq shumë të premtuar Izakun, apo do të tregohet i gatshëm për ta dhuruar nga ana e vet? Sa pyetje… Çfarë do të bëjë Abrahami, si do të reagojë përballë dhuratës që është Izaku?
Kur mbërrin në majë duhet të vendosë se si ta respektojë urdhrin hyjnor. Ndërkaq i lë shërbëtorët dhe vazhdon me të birin që e ndjek pa folur, pyet vetëm për shtazën që do përdoret për flinë e shkrumbimit (fli shkrumbimi do të thotë djegie e plotë me zjarrin e flijimit), dhe më tej një heshtje e rëndë mbretëron mes të dyve. Në fund Abrahami duket se është gati, gati për të flijuar të ardhmen që përfaqësohet nga i biri: nuk do ta mbajë për vete me xhelozi dhuratën e marrë, është gati me gjestin e flijimit të çelet dhe ta çelë këtë marrëdhënie me Tjetrin, me të tjerët.
Me këtë gjest dramatik, i vetmi në historinë njerëzore, Abrahami nuk kursen as veten, as të birin. Për të ky është aspekti thelbësor, besëlidhja me Hyjin është me e rëndësishme se sa zotërimi i dhuratës: është gati të ofrojë dhuratën e çmuar që ka marrë. Abrahami nuk e kupton atë çka i është urdhëruar, por ka besim dhe e lë veten në duart e Hyjit. Abrahami ka pësuar shumë ndarje në jetën e tij dhe e di se që të gjitha kanë qenë për jetën… dhe besimi i tij e shpërblen, do të gjejë justifikim. Lajmëtari i Hyjit e ndal krahun e tij dhe pret lidhjen mes atit dhe birit. Pra, edhe një herë akoma, fiton Hyji, Hyji i cili ndan për jetën, në shikim të jetës. Ai e ka shtyrë Abrahamin të çrrënjoset për t’u bërë akoma më shumë vetvetja në një marrëdhënie të mirë me të birin, me veten e vet, me Hyjin. Ky është Abrahami, njeri i besimit, ati ynë në besim dhe ati i hebrenjve dhe muslimanëve.
Në ngjitjen tonë drejt Pashkës, në këtë kohë prove dhe hijesh, shfaqet drita e Shndërrimit. Ungjilltari e vendos mes dy shpalljeve të mundimit. Zëri nga qielli drejtuar apostujve “Dëgjojeni” është një ftesë për të patur besim. Sidoqoftë kjo dritë lavdie nuk duhet t’i mashtrojë spektatorët: është rrezatimi i Besëlidhjes, është rrezatimi i dashurisë, është përmbushja e jetës njerëzore.
Në lindje, piktorët e ikonave, në përfundim të nxënies, që nuk ka vetëm karakter teknik, por shërben për të njohur Hyjin për t’ia bërë të njohur të tjerëve, pikturojnë para së gjithash ikonën e Shndërrimit: është prova për njeriun e shndërruar nga thirrja e tij. Thirrja jonë si të pagëzuar është që të jemi të shndërruar nga drita e Krishtit, të jemi në shëmbëllim dhe përngjasim të Hyjit në jetën e përditshme.
Apostujve iu desh shumë kohë që të mbërrinin në malin e Shndërrimit. Deri në këtë kapitull Ungjilli mund të lexohet si një nxënie për shndërrimin. Pasi zbresin nga mali rruga vazhdon, drejt atij zbulimi që do të jetë një shndërrim përmes vdekjes dhe ringjalljes.

Don Alberti, Aarau.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »