Mariastein, më 30.06.2024
Fjalë Falënderimi për don Albert Jakaj
I nderuar don Albert, të nderuar besimtar!
Jemi mbledhur sot për ta përshëndetur dhe falënderuar përgjegjësin e Misionit tonë, don Albert Jakaj!
Libri i Kishtarit na thotë se “Gjithçka e ka kohën e vet edhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet” (Kish 3,1). Kështu besoj se ju i nderuar meshtar i Krishtit, e njihni më së miri kuptimin e këtyre fjalëve. Thirrja juaj është një thirrje hyjnore, për këtë edhe e dini shumë mirë se atdheu ynë është qielli, siç na mëson shën Pali apostull. Duke ju përgjigjur thirrjes së Krishtit, ju jeni përcaktuar për ta ndjekur atë, në famullit e ndryshme në Kosovë, në Mal të Zi, në Misionin tonë këtu në Aarau, e tani ku do të ju dërgojnë.
Falënderojmë Zotin, që kishim fatin të të kemi në mesin tonë për këto vite mjaft të çmuara për popullin tonë shqiptarë. Ju meshtar fort i nderuar ishit për ne një pasuri, një bekim. Falënderojmë Zotin, populli ynë shqiptarë ka arritur shumë gjëra këtu në Zvicër, por pa bekimin e Zotit nuk do ketë asgjë. Për këtë ne ju falënderojmë se ju me jetën tuaj të kushtuar Zotit keni qenë një ndërmjetësues i këtij bekimi, me fjalën tuaj të ëmbël e plot urti, ju e keni bërë Zotin të pranishëm në jetën tonë si besimtarë. Prandaj ju falënderojmë për kremtimin me dinjitet të Sakramenteve të shenjta, për gatishmërinë për t’i vizituar të sëmurët, për gatishmërinë tuaj për të ju përshtatur gjithmonë kërkesave tona, ishe një ushtar i mië i Krishtit, durove çdo vështirësi për të mirën e secilit. Të falënderojmë që tregove butësi dhe mirësi të vazhdueshme ndaj të gjithëve pa dallim, për ndihmën shpirtërore të ofruar besimtarëve, me organizime te ndryshme, edhe ato shtegtare, për mbështetjen e ofruar rinisë, të moshuarve, korit, për bashkëpunimin e mirë, duke filluar nga motra e deri tek secili prej nesh, si dhe me misionet tjera. Një pikë që dëshirojmë ta theksojmë ishte që besimtarët nuk i lidhe me vetën tënde por me personin e Krishtit. Faleminderit për këtë dëshmi!
Për ne besimtarët e tu është dhimbje që largoheni nga këtu, por në të njëjtën kohë është një mburrje që një mision ka ecur në paqe e me bekimin e Zotit për këto vite sa ishit në mesin tonë, shërbëtor i të cilit keni zgjedhur të jeni dhe jeni munduar ta bëni atë me gjithë qenien tuaj.
Shpesh e keni përmendur me shumë të drejtë shenjtëreshën e kishës universale, me gjak shqiptare, Nënë Terezën e Kalkutës, duke na ftuar ta ndjekim si shembull, atë që e ndoqi të njëjtin Krisht, Zotin tonë që ndjekim edhe ne.
Ne të gjithë secili me emër duke ju falënderuar ju porosisim Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit Zot, që t’ju ruaj dhe të ju ndihmojë ta shpallni me gëzim Ungjillin e shenjtë.
Zoti ju shpërbleftë me të mirat e veta për çdo gjë që bëtë për ne, dhe mos harroni se jeni gjithmonë i mirëseardhur në mesin tonë!
Zoti ju priftë të mbaren!
Lexoi dhe përgatiti: Benhard Gjokaj, këshilltar nga Derendingen SO