Meditime

Mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Misioneve

Tё dielёn mё 24 tetor Kisha katolike kremton Ditёn e 95-tё Misionare Botërore me temë: “Nuk mund të mos flasim për çka pamë e dëgjuam!”, qё tingëllon si ftesë për secilin nga ne që “ta bëjmë të njohur gjithë çka kemi në zemër”. Ky mision është dhe ka qenë gjithmonë identiteti i Kishës: “Ajo ekziston për të ungjillëzuar” dhe kërkon nga ne të jemi apostuj bujarë e gazmorë të Lajmit tё Mirё – Ungjillit në periferitë e botës.

Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Ditën Botërorë të Misioneve 2021

Të dashur vëllezër dhe motra,

kur provojmë forcën e dashurisë së Hyjit, kur ndiejmë praninë e tij si Atë në jetën tonë personale dhe bashkësiore, nuk mundemi të mos e shpallim dhe bashkëndajmë atë që kemi parë e dëgjuar. Marrëdhënia e Jezusit me nxënësit e tij, njerëzia e tij që na zbulohet në misterin e Mishërimit, në Ungjillin e tij dhe në Pashkën e tij na dëfton se deri në çfarë pike Hyji e don njerëzinë tonë dhe i përvetëson gëzimet dhe vuajtjet tona, dëshirat dhe ankthet tona (krh Gaudium et spes, 22). Gjithçka në Krishtin na kujton që bota në të cilën jetojmë dhe nevoja e saj për shëlbim nuk janë të huaj për të dhe na fton që të ndihemi pjesë aktive e këtij misioni: «Shkoni në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni» (Mt 22,9). Askush nuk është i përjashtuar, askush nuk mund të ndihet i përjashtuar ose larg kësaj dashurie të mëshirshme.

Përvoja e Apostujve
Historia e ungjillëzimit fillon me një kërkim të zjarrtë të Zotit që thërret dhe don të krijojë me çdo person, aty ku ndodhet, një dialog miqësie (krh Gjn 15,12-17). Apostujt janë të parët që na e referojnë këtë gjë, dukë kujtuar deri edhe ditën e orën në të cilën e kanë takuar: «Ishte rreth orës dhjetë» (Gjn 1,39). Miqësia me Zotin, duke e parë të shërojë të sëmurët, të hajë me mëkatarët, të ushqejë të uriturit, t’u afrohet të përjashtuarve, të prekë të papastrit, të njëjtësohet me nevojtarët, të ftojë drejt lumturive, të mësojë në mënyrë të re dhe me autoritet, lë një shenjë të pashlyeshme, e aftë të ngjall habi dhe një gëzim të gjerë e falas që nuk mund të mbahet. Ashtu si thoshte profeti Jeremi, kjo përvojë është zjarri i gjallë i pranisë së Tij aktive në zemrën tonë që na shtyn drejt misionit, edhe pse ndonjëherë sjell sakrifica dhe moskuptime (krh Jer 20,7-9). Dashuria është gjithmonë në lëvizje dhe na vë në lëvizje për të bashkëndarë lajmin më të bukur dhe burimin e shpresës: «E gjetëm Mesinë» (Gjn 1,41).
Me Jezusin kemi parë, kemi dëgjuar dhe prekur që gjërat mund të jenë ndryshe. Ai ka inauguruar, që sot, kohët që do të vijnë duke na kujtuar një karakteristikë thelbësore e të qenurit tonë njerëzor, shumë herë e harruar: «jemi bërë për plotësinë që arrihet vetëm në dashuri» (Enc. Vëllezër të gjithë, 68). Kohë të reja që ngjallin një fe të aftë për të nxitur hove e nisma dhe të formojë bashkësi, duke u nisur nga burra dhe gra që mësojnë të marrin përsipër brishtësinë e vet dhe të të tjerëve, duke promovuar vëllazërinë dhe miqësinë njerëzore (krh Vëllezër të gjithë, 67). Bashkësia e krishterë tregon bukurinë e saj sa herë që kujton me mirënjohje që Zoti na ka dashur i pari (krh 1Gjn 4,19). «Parapëlqimi  dashamirës i Zotit na befason, dhe habia, për natyrën e vet, nuk mund të përvetësohet dhe as të imponohet nga ne. […] vetëm kështu mund të lulëzojë mrekullia e dhuratës falas të vetes. Edhe zjarri misionar nuk mund të mbahet asnjëherë si pasojë e një arsyetimi apo përllogaritjeje. Të vendosësh në “gjendjen e misionit” është një refleks i mirënjohjes» (Mesazhi i Veprave Misionare, 21 maj 2020).
Megjithatë kohët nuk ishin të thjeshta: të krishterët e parë filluan jetën e tyre të fesë në një ambient armiqësor dhe të mundimshëm. Histori mënjanimi dhe burgosjeje ndërthureshin me rezistenca të brendshme e të jashtme, që dukeshin se kundërshtonin gati edhe mohonin atë që kishin parë dhe dëgjuar; por kjo në vend që të jetë një vështirësi ose një pengesë që mund ti kishte çuar të mbylleshin në vetvete, i shtynte që të transformonin çdo papërshtatshmëri, kundërshti dhe vështirësi në një rast për mision. Limitet dhe pengesat u bënë një vend i favorshëm për të lyer të gjithë dhe gjithçka me Shpirtin e Zotit. Asgjë dhe askush nuk mund të rrinte jashtë shpalljes liruese.
Kemi dëshminë e gjallë e gjithë kësaj në Veprat e Apostujve, libri që nxënësit misionar e kanë gjithmonë përdoresh. Është libri që tregon se si aroma e Ungjillit përhapej duke ngjall gëzimin që vetëm Shpirti Shenjtë mund të na japë. Libri i Veprave të Apostujve na mëson t’i jetojmë sprovat duke u kapur pas Krishtit, për të rritur «bindjen që Hyji mund të veprojë në çfarëdo rrethane, edhe në mes atyre që duken dështime» dhe bindjen  që «kush ofrohet dhe i dhurohet Hyjit për dashuri, me siguri do të japë fryt (krh Gjn 15,5)» (Nxitja apost. Evangeli gaudium, 279).
Kështu edhe ne: as momenti aktual historik nuk është i lehtë. Situata e pandemisë ka theksuar dhe zgjeruar dhimbjen, vetminë, varfërinë dhe padrejtësitë për të cilën tashmë shumë vuanin, dhe ka demaskuar siguritë tona të rreme, copëzimet dhe polarizimet që në heshtje na brejnë. Më të brishtit dhe të dobëtit kanë provuar akoma më shumë dobësinë dhe brishtësinë e tyre. Kemi jetuar shkurajimin, zhgënjimin, vështirësinë; deri edhe hidhërimin konformist, që heq shpresën, ka arritur të mbizotërojë pikëpamjen tonë. Por «ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot, ndërsa vetveten e shpallim shërbëtorët tuaj për dashuri të Jezusit» (2Kor 4,5). Për këtë ndiejmë të tingëllojë në bashkësitë tona dhe në familjet tona Fjala e jetës që jehon në zemrat tona dhe që thotë: «Ai s’është këtu! U ngjall!» (Lk 24,6); Fjala e shpresës që thyen çdo lloj determinizmi dhe atyre që e lënë veten të preken prej Tij, u jep lirinë dhe guximin e nevojshëm për t’u çuar në këmbë dhe për të kërkuar me kreativitet të gjitha mënyrat e nevojshme për të jetuar mëshirën “sakramentale” të afërsisë së Zotit me ne që nuk braktis askënd në skajet e rrugës. Në këtë kohë pandemie, para tundimit për të mbuluar dhe justifikuar indiferencën dhe pandjesinë (apatinë) në emër të distancimit shpoqëror, është urgjente misioni i mëshirës e aftë për të bërë largësinë e nevojshme një vend takimi, kujdesi dhe promovimi. «Çka kemi parë e dëgjuar» (Vap 4,20), mëshira që na është dhuruar, shndërrohet në pikë referimi dhe besueshmërie që na lejon të rikuperojmë zjarrin e bashkëndarë për të krijuar «një bashkësi përkatësie dhe solidariteti, të cilës i kushtojmë kohë, angazhim dhe të mira» (Enc. Vëllezër të Gjithë, 36). Është Fjala e Tij që ditë për ditë na shëlbon e na shpëton nga justifikimet që na bëjnë të mbyllim gjendjen më të ulët të skepticizmit: “gjithsesi është njësoj, asgjë nuk do të ndryshojë”. Dhe përballë pyetjes: “për çfarë qëllimi duhet të heq dorë nga siguritë, komoditetet dhe kënaqësitë e mia nëse nuk mund të shoh asnjë rezultat të rëndësishëm?”, përgjigja qëndron gjithmonë e njëjta: «Jezu Krishti ka ngadhënjyer mbi mëkatin dhe mbi vdekjen dhe është mbushur me pushtet. Jezu Krishti me të vërtetë jeton» (krh Nxit. Apost. Evangelii gaudium, 275) dhe don që ne, të gjallë, vëllazëror dhe të aftë për të mikpritur dhe të bashkëndarë këtë përvojë. Në kontekstin aktual është e nevojshme urgjentisht  për misionar shprese që, të lyer nga Zoti, të jenë të aftë të kujtojmë në mënyrë profetike që askush nuk shpëtohet prej vetes.
Sikurse Apostujt dhe të krishterët e parë, edhe ne me të gjithë forcën: «Nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar!» (Vap 4,20).  Gjithë ajo që kemi marrë, gjithë ajo që Zoti na ka falur, na e ka dhuruar që ta vendosim në veprim e që t’ua dhurojmë falas të tjerëve. Sikurse Apostujt që kanë parë, dëgjuar dhe prekur shpëtimin e Jezusit (krh 1Gjn1,1-14), kështu edhe ne sot mund të prekim mishin e vuajtur dhe të lavdishëm të Krishtit në historinë e përditshme dhe të gjejmë kurajon për të bashkëndarë me të gjithë një fat shprese, ajo shenjë e padyshueshme që lind nga siguria që jemi të shoqëruar nga Zoti. Si të krishterë nuk mund ta mbajmë Zotin vetëm për veten tonë: misioni ungjillëzues i Kishës shpreh valencën e saj integrale dhe publike në transformimin e botës dhe në mbrojtje të krijimit.

Një ftesë secilit prej nesh
Tema e Ditës Botërore të Misioneve të Këtij viti «Ne, veç, nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar!» (Vap 4,20) është një ftesë për secilin prej nesh që të “marrim përsipër” dhe të bëjmë të njohur atë që mbartim në zemër. Ky mision është dhe ka qenë gjithmonë identiteti i Kishës: «ajo ekziston për të Ungjillëzuar» (Shën Pali VI, Nxitja apost. Evangeli nuntiandi, 14). Jeta jonë e besimit dobësohet, humb profecinë dhe aftësinë për të habitur dhe për të dhënë falas në izolimin personal ose duke u mbyllur në grupe të vogla; për nga vetë dinamika e saj kërkon një hapje në rritje e aftë për të përqafuar dhe arritur tek të gjithë. Të krishterët e parë, larg tundimit të izolimit në elita, ishin të shtyrë nga Zoti dhe nga jeta e re që Ai ofronte, që të shkonin në gjithë botën dhe të dëshmonin atë që kishin parë e dëgjuar: Mbretëria e Hyjit është afër. E bënin me bujari, falas dhe me fisnikërinë e atyre që mbjellin duke ditur që të tjerët do të hanë nga frytet e angazhimit dhe sakrificës së tyre. Për këtë më pëlqen të mendoj që «edhe më të dobëtit, të kufizuarit dhe të plagosurit mund të jenë [misionar] në mënyrën e tyre, sepse duhet të lejojmë gjithmonë që e mira të transmetohet, edhe nëse bashkë-ekziston me shumë brishtësi» (Nxitja apost. Krishti Jeton, 239).
Në Ditën Botërore Misionare, që kremtohet çdo vit në të dielën e parafundit të tetorit, kujtojmë me mirënjohje të gjithë personat që, me dëshminë e tyre të jetës, na ndihmojnë të rinovojmë angazhimin tonë pagëzimor për të qenë apostuj bujar dhe të gëzuar të Ungjillit. Kujtojmë veçanërisht ata që kanë qenë të aftë që të vihen në ecje, duke lënë tokën dhe familjet që Ungjilli të arrijë pa vonesë e pa frikë gjitha anët e popujve dhe qyteteve ku shumë jetë ndihen të etur për bekim.
Të kontemplojmë dëshminë e tyre misionare na nxit që të jemi të guximshëm dhe të lusim me ngulm: «të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta» (Lk 10,2); në fakt jemi të vetëdijshëm që thirrja për mision nuk i përket vetëm të kaluarës ose një kujtimi të bukur të kohëve të shkuara. Sot Jezusi ka nevojë për zemra që janë të afta ta jetojnë thirrjen si një histori të vërtetë dashurie, që i nxit të shkojnë në periferitë e botës dhe të bëhet shpallës dhe vegla të mëshirës. Është një thirrje që Ai ua drejton të gjithëve, edhe pse jo në të njëjtën mënyrë. Të mos harrojmë që ka periferi që janë afër nesh, në qendër të një qyteti, ose në vetë familjet tona. Është edhe një aspekt i përhapjes universale të dashurisë që nuk është gjeografike por ekzistenciale. Gjithmonë, por sidomos në këtë kohë pandemie, është e rëndësishme të shtojmë aftësinë e përditshme për të zgjeruar rrethin tonë, për të arritur tek ata që në mënyrë spontane nuk i ndjejmë si pjesë të “botës sonë të interesit”, por që të jenë afër nesh (Vëllezër të gjithë, 97). Të jetojmë misionin d.m.th. të marrim përsipër për të kultivuar të njëjtat ndjenja që ishin në Krishtin Jezus dhe të besojmë me të që kushdo që më është përbri është edhe ai vëllai im dhe motra ime. Dashuria e Tij e mëshirshme e zgjoftë edhe zemrën tonë dhe na bëftë të gjithëve nxënës misionar.

Maria, nxënësja e parë misionare, bëftë të rritet në të gjithë të pagëzuarit dëshira për të qenë kripë dhe dritë për botën tonë (krh Mt 5,13-14).

Dhënë në Romë, më 6 janar 2021, Dëftimi i Zotit
Papa Françesku

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »