Meditime

Mons Lush Gjergji: Ardhja – Koha e Shpirtit Shenjt

Ardhja apo koha e ardhjes janë katër javët që paraprijnë kohën e Krishtlindjes. Kuptimi  dhe qëllimi kryesor i kësaj kohe është:
* përkujtimi i ardhjes së parë historike të Jezu Krishtit në botë, mishërimi i tij për ne dhe për shëlbimin tonë në shpellën e Betlehemit;
* përgatitja vjetore për festën e Kërshëndellave apo për ardhjen e Jezu Krishtit në vazhdimësi nëpërmjet Kishës dhe sakramenteve;
* për t’ na përgatitur për ardhjen e tij të dytë për të “gjykuar të gjallët e të vdekurit”, si dhe për kalimin tonë në amshim.

Arritja e këtyre qëllimeve  mund të bëhet në mënyra dhe trajta të ndryshme. Unë do t’i përmendi disa mjete  tejet të nevojshme dhe të dobieshme për jetën tonë fetare dhe shpirtërore.
Ndjenja e parë të cilën duhet ta zgjojmë në shpirtin, brendinë dhe ndërgjegjen tonë të krishjterë është zgjuartësia, që në terminologjinë biblike shprehet kështu: “Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria i juaj! E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni” (Mt 24, 41-44).
Kuptimi i këtij qortimi është syqeltësia, zgjuartësia, gatishmëria jonë shpirtërore për takimin me Zotin tonë Jezu Krishtin në çdo çast, rast, moment të jetës sonë tokësore, që domethënë vetëdija  se jemi udhëtarë, shtegëtarë,   kalimtarë të drejtuar kah amshimi, si caku dhe qëllimi kryesor i krijimit, pra, i jetës dhe veprimeve tona tokësore. I krishtëri jeton në këtë jetë dhe botë, si edhe të gjithë të tjerët, por mendjen dhe zemrën e ka  gjithnjë të drejtuar kah Zoti, amshimi, pavdekësia, dhe jeton tani dhe këtu, por nuk lejon që askush dhe asgjë ta robëronte apo huntonte nga ky drejtim dhe përcaktim jetësor.
Këtë të vërtetë e ka shprehur shumë bukur dhe në mënyre pëmbledhëse dhe përmbajtësore edhe Koncili i Dytë i Vatikanit /KDV/ kështu: Prej Tij /Zotit/ rrjedhim, me Të jetojmë dhe tek Ai kthehemi.
Mënyra e dytë për ta ruajtur këtë qëndrim të pritjes dhe të shtegtimit kah amshimi është urata,  jeta shpirtërore, si përtrirje e vazhdueshme dhe mjet jetësimi i fesë dhe i shprehjes së dëshmisë së krishterë.
“Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë” (Lk 21, 34-35; krh. Mk 13, 33-37).
Nëpërmjet uratës, dialogut tonë të dashurisë me Zotin, ne dimë më mirë dhe më drejtë të vlerësojmë jetën dhe veprimet tona, të afërmit, pa e humbur kurrë prizmën dhe përspektivën e amshimit, të pavdekësisë. Urata e mbanë mendjen dhe zemrën tonë të zgjuar, ndriçon errësirat e jetës, lehtëson sfidat dhe vështirësitë e përditshmërisë, zgjeron pamjen e syrit, të mendjes dhe të zemrës, na aftëson për flijime dhe dhurime, për vepra të mishërës dhe bamirësisë, për dashuri – jetë me Hyjin dhe të afërmin. Mu për këtë thënia: Kush di të lutet, di edhe të jetojë, do të shtoja unë di edhe të dashurojë, e cilëson uratën si fuqi të madhe të jetës dhe të veprimit të krishterë.
Mënyra e tretë është pendesa, agjërimi, bamirësia, që  përkohësisht na liron nga të mirat e përkoshme dhe tokësore që mund të na robërojnë me komoditet, kënaqësi truporo-epshore, egoizëm dhe egocetrizëm, me një stil të jetës pa brenga, pa halle dhe derte, pa shqetësime dhe mundime, si dhe na ushtron në përmbajtje, në flijim dhe në dhurim, kuptohet,  gjithnjë për të mirën tonë dhe të tjerëve, sidomos në nder e lavdi të Zotit.
Pendesa vullnetare, e mbi të gjitha me dashuri dhe për dashuri, për Zotin dhe për Njeriun, është mjekim i mirë dhe i suksesshëm i plogështisë shpirtërore, lodhjes dhe molisjes, indiferentizmit, që ngadalë sjell edhe deri  te ateizmi praktit, te jeta pa Zotin dhe pa të afërmin, duke mbyllur kështu njeriun vetëm në harkun e materializmit dhe të hedonizmit trupor dhe tokësor.
Përgatitja më e mirë për takimet e vazhdueshme je Jezu Krishtin e mishëruar është metodologjia e Virgjërës Mari, e cila në heshte dhe dëgjim, në uratë dhe meditim, në lirinë e zemrës, tërësisht iu dhurua vullnetit të Hyjit, pranoi dhe mishëroi Fjalën e Zotit, premtoi dhe zbatoi me përpikëri dhe dashuri dërgimin e Hyjit.
Pika e parë e jetës së Virgjërës Mari ishte dëgjimi. Ajo e dëgjoi  porosinë e Zotit jo vetëm me veshë, por edhe më tepër me mendje dhe me zemër, me fe dhe me dashuria.  Dialogu mes Marisë dhe engjëllit  ishte shumë dinamik, i hapur dhe me  pyetje, kërkesa dhe shqetësime të qarta: “Si do të mund të ngajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”(Lk 1 34). Maria ende mendonte me logjikën njerëzore dhe nuk e kuptonte si do të mund të mbeste shtatëzënë  në virgjërinë e saj dhe pa lidhje bashkëshortore apo martesore. Kjo na ngjan edhe neve shpesh, kur çështjet shpirtërore, fetare, mbinatyrore i shqyrtojmë me arsyen tonë njerëzore. Dhe kuptohet se nuk kuptojmë më asgjë, sepse jemi në një nivel krejt tjetër.
Pas dëgjimit dhe shqyrtimit njerëzor, Maria  në lutje – dialog të dashurisë, ndryshe e dëgjoi Fjalën e Zotit e cila i kumtohej nëpëmjet  engjëllit.  “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet;  prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit” (Lk 1, 35).
Dhe veprimi përfundimtar i Marisë ishte “dorëzimi” – pranimi, zbatimi, mishërimi i Fjalës së Zotit, Jezusit, Mesisë,  me këto fjalë dhe qëndrim të madhërishëm: “ Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1, 38). Tërë jetën dhe qëndrimet, veprimet e Virgjërës Mari mund t’i përmbledhim në këtë: BESOJ, EDHE PSE NUK KUPTOJ, SEPSE DASHUROJ.
Planet e Zotit, feja, tejkalon arsyen njerëzore, aftësitë kuptimore dhe mendore, dhe vetëm me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, mund të pranohen dhe zbatohen, jetësohen. Në këtë Nëna Mari është shembëll, ndihmë, ndërmjetëse e madhe dhe e pakrahasueshme për të gjithë ne.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »