Meditime

Mons Lush Gjergji: Disa porosi – thesare nga jeta dhe përvoja e Nënës Tereze mbi vuajtjen

“Unë mendoj se populli dhe Kisha shqiptare është duke kaluar të Premten e Madhe.”

Të zgjedhura nga „Dashuria do ta shpëtojë botën“ Nëna Tereze (1910 – 1997)

Nga: Mons Lush Gjergji, Prishtinë

Nënën tonë Tereze e qiti në dritë e rriti frymëzoi dhe shenjtëroi vuajtja shumëshekullore e popullit dhe Kishës sonë iliro-shqiptare dymijëvjeçare, e ushqeu feja dhe dashuria e krishterë duke e lartësuar mbi të gjithë që të jetë e të gjithëve dhe për të gjithë. Për këtë edhe e quajta Nëna e botës së mjeruar. Dashuria në veprim.Protagonistja e Zotit dhe njeriut. Shpresa e botës më të mirë, Nëna e botës.

Vuajtjet

Vuajtja dhe vetmia e plotë, dramatike, nën qiellin e Kalkutës, kur doli prej Motrave të Loretos, në lagjet më të mjera Tigjil dhe Monotigjil, në rrezik ta vrasin si evropiane të bardhe dhe spiune angleze, u bë për të sfidë jete. Atëherë nga zemra e madhe dhe virgjërore, fe dhe dashuriplote, lindi kjo uratë e mrekullueshme: O ZOT, MË JEP SË PAKU FUQI TË MBES DHE TË VDES NË MESIN E TYRE PËR T’UA DËSHMUAR DASHURINË TËNDE.

Ja vetëm disa porosi – thesare nga jeta dhe përvoja e Nënës Tereze mbi vuajtjen:

„Vuajtja është e madhe por edhe më e madhe është dashuria“. „Kam vuajtur shumë kur jamë ndarë prej familjes sime, kur u nisa për motër misionare në Indi. Por kam vuajtur edhe më shumë kur u ndava prej „Motrave të Loretos“. Ishte kjo „thirrja në thirrje“, zëri i Zotit, një urdhër i qartë…“.

„Vuajtja vetvetiu s’është asgjë mirëpo vuajtja si pjesëmarrje në vuajtjen e Krishtit, është një dhuratë e mrekullueshme, dhuratë më e bukur: një dhuratë dhe një dëshmi dashurie…“.

„Zemra ka uri për bukë, për dashuri, mirësi, jetë, kujdes. Kjo është varfëria më e madhe që e mundon njerëzimin“.

„Po mos ta pashin motrat tona fytyrën e Jezu Krishtit në njerëzit e mjerë, puna e tillë do t’ishte e pamundshme. Ne dëshirojmë t’i vetëdijësojmë të mjerët se ka njerëz që vërtet i duan ata, edhe më tepër, Zoti i do ata pa masë… Ata janë për ne Jezu Krishti në trajtën e njeriut nevojtarë për ndihmë, dashuri dhe shërbim“.
„Unë e shoh Jezusin në çdo person, sidomos në të varfër ndër më të varfër“.

„S’mund të shkojmë pas Krishtit pa pranimin e kryqit“

“Krishti është i pandashëm prej kryqit… Sot bota është Kalvarja e hapur… Vuajtja s’është dënim. Jezusi nuk dënon askend. Mundimi është shenjë se edhe ne iu kemi afruar dukshëm Jezu Krishtit në kryq…“

„Vuajtja jonë, e bashkuar me mundimin e Krishtit dhe të Marisë, është dhuratë e mrekullueshme… Pranë kryqit të Krishtit Maria u bë nëna jonë…Gjatë mundimeve dhe në vdekje Jezusi ka vuajtur shumë për mbarë njerëzimin,
për shëlbimin tonë…“

„Sot përsëritet vuajtja e Krishtit“

„Sot përsëritet vuajtja e Krishtit në jetën e atyre që vuajnë, që janë të sëmurë, të varfër, të dëbuar. Pranimi i vuajtjes është hiri i Zotit, pjekuria e fesë, shenjtërimi i jetës sonë… Nëpërmjet vujtjeve, dhembjeve, kryqeve, sëmundjeve, vdekjes, ne vimë te Jeta, te ngjallja“.

Nëna Tereze vuajti dhe u flijua në heshtje, në uratë, në dashuri për popullin tonë shqiptar, për Shqipërinë, për Kosovën, për mbarë njerëzimin. Në një bisedë rreth ndarjes për së gjalli prej nënës dhe motrës për shkaqe politike dhe ideologjike të Shqipërisë, si dhe për vuajtjen e popullit tonë,ndër të tjera më tha:

„Deri më sot kam arritur çdo gjë me dashuri dhe me uratë, por këtë ende jo. Ka ende kufijë dhe pengesa që as dashuria s’mund t’i rrënojë. Vetë Zoti e di përse nëna dhe motra, mbarë populli im duhet të vuajë kaq shumë…“ (1978).

Pas Shpërblimit Nobel për Paqe në Osllo më pati thenë:

„Unë mendoj se populli dhe Kisha shqiptare është duke kaluar të Premten e Madhe, por feja jonë na mëson se aty nuk mbaron jeta e Jezu Krishtit, mbaron në kryq dhe përfundon me ngjalljen e tij… Kjo është fshehtësia e suksesit të krishterë…“ (Osllo, 12. XII. 1979).

Rreth trazirave në Shqipëri Nëna Tereze ka shkruar kështu:

„Me dhimbje të madhe në zemrën time po dëgjoj se jetat po humbën, ndërsa njerëzit po lëndohen në këto trazira… Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri -tjetrin…“ (28 prill 1997).

Ajo shpesh thoshte:

„Të duam deri në dhembje, deri në vdekje“.

Shëndetlige, e vogël, e kërrusur, plotë rrudha në fytyrë, por gjithmonë me sy të ndriçuar, me duar dhe zemër të hapur, Nëna Tereze e ka përqafuar botën e vuajtjes, iu ka lehtësuar barrën miliona njerëzve, ia ka dhënë pësimit, mundimeve, sëmundjeve një kuptim dhe domëthënje të re sipas parimit kuptimplotë: „PA DASHURI DHE FLIJIM JETA S’KA KUPTIM“.

Feja – dashuria – shtylla jete dhe veprimi

Vuajtja pa fe dhe dashuri do t’ishte vetëm pësim, dëshprim, shkatërrim,asgjësim. Arkimedi pati thenë: Ma jepni një pikë të palëvizshme e unë do ta lëvizi tokën. Nëna e jonë Tereze e gjeti këtë pikë të palëvizshme në ZOTIN-DASHURINË, dhe në VËLLAUN – NJERI dhe shi për këtë pati fuqi ta lëvizte mbarë njerëzimin duke prekur zemrat edhe ndërgjegjet e të gjithëve. Ajo u bë dhe do të mbesë pika e madhe orientuese dhe frymëzuese si mund të duhet dhe shërbehet Zoti nëpërmjet njeriut. S’mund të besosh në Zotin e mos të jetosh dhe veprosh për njeriun.

Feja e Nënës Tereze s’ishte ndonjë njohuri apo ide mbi Zotin, Kishën, njeriun, por ishte jetë, përcaktim, fuqi e gjallë dhe zbatuese për shërbim dhe flijim dashurie në të mirë të çdo njeriu. Ajo vërtet besoi – jetoi – veproi sipas fjalës së Jezu Krishtit: „Përnjëmend po ju them: në paqit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: „Dil këndej e shko atje!“, do të kalojë dhe asgjë s’do të jetë e pamundshme!“ (Mt 17, 20 -21).

Me fuqi të fesë së krishtere, të këtij premtimi kaq madhor të Jezusit, me fuqi të dashurisë flijimtare mund të themi kështu: për Nënën Tereze asgjë s’ishte e pamundshme, ose e pamundshmja për të u bë e mundshme dhe e zbatueshme! A s’ishte mrekulli, vepër e Zotit në të mirë të mbarë njerëzimit; që një vajzë e re shqiptare katolike 18 vjeçare të shkonte në Indi, Kalkutë, mbarë botën dhe tërë njerëzimin! A s’është mrekulli që për afro 20 vjet ajo si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të „Motrave të Loretos“, të bëhet HISTORIA më e bukur dhe më tërheqëse e dashurisë së krishterë, GJEOGRAFIA e re e Kalkutës, dikur kryeqyteti i mjerimit, sot me Nënën Tereze kryeqyteti i mëshirës, dashurisë dhe shërbimit ndaj Zotit nëpërmes njeriut vëlla – motër? A nuk është mrekulli që prej vitit 1950 e deri në kalim në amshim (1997) të ketë themeluar pesë rende rregulltare dhe shekullore, të përhapet në më së 120 vende të botës, të tejkalojë çdo kufi kombëtar, fetar, racor, gjinor, ideologjik, politik, kulturor, shoqëror dhe hapësinor?

Ajo, e Varfëra e botës, Nëna jonë Tereze, t’iu ndihmojë më së shumti të gjithë atyre që vuajnë në trup apo në shpirt. Përse dhe si? Me ndriçimin e madh të fesë dhe me fuqinë e pathyeshme të dashurisë. Për të feja, besimi, ishte jeta me Zotin, për njeriun, nëpërmjet njeriut, ndërsa dashuria ishte dhe do të mbetet rruga, drejtimi, mënyra, rasti për ta njohur, dashur,shërbyer Zotin në përditshmëri.
Risia e Nënës Tereze ishte kjo: me fuqi të fesë dhe me dashurinë vepruese ajo dha një metodologji të re të konkretizimit të fesë në jetë: zbulimin e Zotit nëpërmjet njeriut nevojtar, të mjerë, të dëbuar dhe të dëmtuar, që për shumkend s’kishte më as pamje as dinjitet njerëzor, e jo më diç më tepër.

Ajo iu dha „përparësi“ më të vegjëlve, më të shtypurve, më të mjerëve, të varfërve ndër më të varfër, sepse e kuptoi dhe plotësoi me besnikëri dhe dashuri identifikimine Krishtit me çdo njeri që vuan. „Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë“ (MT 25, 35 – 36).

Këtë Jezu Krisht të mishëruar ajo e gjeti, i shërbeu dhe e dashuroi „24 orë në ditë në çdo krijesë njerëzore“.
Ja disa prosi thelbore për fenë dhe dashurinë:

„Sot njerëzit kanë pak fe, sepse ka shumë egoizëm në kërkim fitimi. Feja për të qenë e vertetë duhet të jetë bujare. Feja dhe dashuria shkojnë së bashku… përplotësohen“.

„Feja për të qenë e vërtetë duhet të jetë dashuri dhuruese… Do të hiqesha dorë nga çdo gjë, edhe nga jeta ime, por jo nga feja ime… Pa fe s’do të mund të jetoja as 24 orë“.

„Zoti na ka krijuar për vepra të mëdha, që të duam dhe të dhurojmë dashuri… Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, mosinteresimi për të afërmin…“.

„Ne çdo gjë bëjmë për Jezusin. Unë jetoj 24 orë në ditë me Jezusin dhe për Jezusin, atij ia dhuroj jetën time, zemrën time, dashurinë time, punën time,çdo gjë“.

„Puna jonë nuk është asgjë tjetër përpos shprehja e dashurisë sonë ndaj Zotit. Këtë dashuri ndaj Zotit duhet ta ruajmë gjithnjë ndërsa të tjerët janë mjet për ta shprehur dhe dëshmuar këtë dashuri…“.

„Unë shoh Jezusin në çdo person, sidomos në të varfër dhe të vuajtur… Ata kanë shumë pak, asgjë, por japin shumë, çdo gjë…“.

„Të jesh i krishterë i mirë dmth. ta kesh zemrën e pastër, ta pashë Zotin në çdo njeri dhe të duhemi pikërisht sikurse na do neve Jezu Krishti… Duhet dashur deri te shkalla e gatishmërisë për vuajtje. Nuk mjafton të themi: Të dua! Duhet dashurinë ta shëndrrojmë në veprim jetësor. Si mund ta bëjmë këtë? Të flijohemi deri në flijim-vujtje“.

„Feja jonë s’është asgjë tjetër përpos ungjilli i dashurisë… Nëse dëshironi që të varfërit ta shohin në ne Krishtin, ne duhet më parë në ta ta shohim dhe ta njohim vetë Jezu Krishtin“.

„Zoti nuk do t’na gjykojë në bazë të punës që kemi bërë, por sa dashuri kemi pasur në punën dhe jetën tonë“.

„Ta kthesh dikë në fe domethënë t’ia dhurosh atij Zotin. Ta shenjtërosh dikë domethënë ta mbushësh jetën e dikujt me Zotin. Kthimi dhe shenjtërimi janë vepra të Zotit… Mos të kërkojmë ta detyrojmë dikë ta pranojë fenë tonë. Ta kërkojmë vetëm këtë që drita e Krishtit të ndrçojë jetën e tyre dhe tonën, dhe nëpërmjet nesh të vijë ajo dritë në botën e të mjerëve…“.

Një nënë për të gjithë – Nëna Tereze

Nëna Tereze me vuajtjen e motivuar dhe të çliruar me fe dhe dashuri tejkalonte çdo kufi dhe ndasi, si p.sh. botëkuptimin inda ndaj gërbulës,ndasitë dhe urrejtjet fetare, kastore, ndarjen e botës në të pasur dhe tëvarfër…

Gërbula sipas botëkuptimit inda ishte ndëshkim i Zotit, pra, si fatalizëm apo paracaktim hyjnor, që doemos duhej pranuar me bindje fetare. Luftën kundër këtij botëkuptimi ajo e ka filluar qysh në vitin 1957. Atëherë ndër të tjera Nëna Tereze pati thënë:

„Është mjaft vështirë ta bindësh popullatën e Indisë që Zoti nuk e ka dënuar njeriun në vuajtje. I dijmë rastet dramatike kur i mbytëshin të shëruarit nga gërbula, ndonjëherë edhe anëtarët e familjeve të tyre… Mu për këtë kemi marrë për detyrë ndërtimin e qendrave të vogla vetëm për të gërbulur, ku ata mund të jetojnë në paqe, të punojnë, të krijojnë familje… e bëra këtë për Jezusin… preke të gërbulurin me zemrën tënde! Preke të gërbulurin me dashurinë tënde!“

Prej atëherit janë ngritur shumë qendra – oaza, „Qytete të haresë“ për të gërbulurit në Indi dhe në botë. Nga kjo përvojë-jetë lindi kjo porosi prekëse dhe mahnitëse:

 „Asnjë sëmundje, pra, as gërbula s’mund ta shëmtojë aq njeriun që në të mos ta njohim vëllaun apo motrën tonë, edhe më shumë,Jezusin mundimtar“.

Tejaklimi i ndasive kastore: India është toka dhe bota e kundërthënieve dhe ndasive kombëtare, fetare, kulturore, që vjen në shprehje sidomos nëpërmjet kasteve të cilat më se 3000 vjet e ndajnë popullin prej lindjes e deri në vdekje. Të gjitha kastet kanë prejardhje prej Zotit Brahma. Disa prej tyre janë të larta dhe të privilegjuara, tjerat janë të paracaktuara për shërbim dhe robërim. Përzierja mes kasteve ndalohet dhe sanksionohet edhe me vdekje.

Një misionar slloven, atë Viktor Sedej, mbi kastet shkruante kështu në vitin 1939: „Misionari në Indi ka tre armiq të përbetuar: djallin, diellin e Indisë dhe kastet. Rreziku më i madh pardyshim janë kastet“.

Për t’i afruar dhe tejkaluar botëkuptimet kastore tentoi edhe Gandi i madh, por gati pa sukses.

Këto barriera, me fe, mirësi dhe dashuri i rrënoi Nëna Tereze, sepse çdo vepër e saj është për njeriun nevojtar, pa kurrfarë dallimi apo përjashtimi.Kjo ishte vepër e Zotit nëpërmes Nënës sonë Tereze.

Nëna Tereze i afroi dhe pajtoi edhe të pasurit me të varfërit që ishin plot paragjykime dhe kundërshtime. Prapë me jetën dhe shembullin e saj.

„Të varfërit janë të tillë, sepse janë të detyruar nga kushtet e jetës. Unë dhe motrat e mia jemi të varfëra lirisht dhe vullnetarisht, për dashuri ndaj Zotit, për t’i kuptuar dhe ndihmuar të varfërit më të varfër… Vetëm kur të pasurit do t’i ndajnë pasuritë e tyre me të varfërit, edhe ata do të jenë të lumtur dhe të qetë… Ne varemi tërësisht prej Provanisë së Zotit, prej bamirësave… Zoti nuk e ka krijuar varfërinë, ne e kemi krijuar atë. Para Zotit të gjithë jemi të varfër“.

Nëna Tereze e ka tejkaluar edhe botëkuptimin „klasik“ të misioneve të krishtera, për t’i kthye të tjerët në krishterizëm si dhe ndasitë e ndryshme fetare. Nëna Tereze dëshmon kështu:

„Ne punojmë për të gjithë njerëzit, pa dallim, që ata të afrohen sa më tepër mes veti dhe me Zotin. Detyra jonë kryesore është t’iu japim atyre dashurinë e Zotit. Ne punojmë me të krishterët dhe jo të krishterë, si dhe me myslimanë dhe budistë, induistë, të gjithë së bashku një. Kjo vërtetohet po ashtu edhe në shtëpitë tona për njerëz në rrezik të vdekjes, kudo, sepse të gjithë i duam dhe shërbejmë si vllezër dhe motra tona… Kur e preki, e përqafoj një të gërbulur, unë e preki dhe e përqafovetë Jezu Krishtin. Si mundem atëherë mos ta bëjë këtë apo mos të jam e lumtur?“

Si përfundim mund të themi: Nënën tonë Tereze e qiti në dritë e rriti frymëzoi dhe shenjtëroi vuajtja shumëshekullore e popullit dhe Kishës sonë iliro-shqiptare dymijëvjeçare, e ushqeu feja dhe dashuria e krishterë duke e lartësuar mbi të gjithë që të jetë e të gjithëve dhe për të gjithë.

Për këtë edhe e quajta Nëna e botës së mjeruar. Dashuria në veprim. Protagonistja e Zotit dhe njeriut, Nëna e të sëmurëve, Nëna e të gërbulurve,  Shpresa e botës më të mirë, Nëna e botës.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »