Një ditë papritmas në oborrin e Kuvendit të Shën Jeronimit u duk një luan që çalonte. Ishte i plagosur në këmbë me një ferrë të madhe. Murgët, të frikësuar dhe befasuar, së shpejti ikën. Mbeti vetëm Shën Jeronimi dhe luani.
Shenjti iu afrua dhe ia hoqi ferrën. Nga ajo ditë lindi në miqësia dhe bashkëpunim i paparë mes luanit dhe Shën Jeronimit.
Ndoshta është e vërtetë, ndoshta legjendë, por ka një simbolikë dhe porosi: Shën Jeronimi ishte i “plagosur” me një natyrë të egër, impulsive. Mu për këtë thoshte: Parce mihi, Domine, quia dalamata sum” – Më falë, o Zot, se jam dalmat dmth. Ilir.
Hiri, mëshira, falja dhe Dashuria e Zotit, atë e shndërruan në njeri, të krishterë dhe meshtar të mirë dhe të shenjt.
Gjatë studimeve në Romë, si i ri, kishte studiuar retorikën dhe gramatikën, gojëtarinë dhe drejtshkrimin, për t’u bërë më vonë, “Luani i fesë”, i vendosur në mbrojtje të vlerave dhe virtyteve të krishtera, dhe “Dielli i Biblës”, në përkthim, studim, shpjegim, jetësim dhe dëshmim.
Për këtë ai thotë: “Të falënderoj, o Zot, që tash po i korri frytet që i mbolla me dhembje, lot dhe vuajtje, me uratë, pendesë, punë dhe shenjtëri”.
- Jetën e tij mund ta ndajmë në tri pjesë: rinia dhe formimi në Romë, me argëtime, zbavitje, mëkate, studim dhe shijim të autorëve klasik. Mendonte se do të jetë i lumtur në jetën e shfrenuar dhe në shijimin e leximeve klasike.
- Kthimi i plotë krishterim në Lindje (372 – 381), në Antioki, në shkretëtirën Kalkis në Siri, si ecje kah feja, Zoti, kërkimi i përsosmërisë dhe shenjtërisë, sidomos nëpërmjet Biblës, uratës dhe pendesës së madhe, jetës rregulltarë.
- Shenjtërimi dhe puna e madhe gjatë 35 viteve të fundit të jetës në Betlehem.
Ai e kishte pranuar, jetësuar dhe dëshmuar Jezu Krishtin pa kushte, por, megjithatë, më lejo…, siç kërkon Ungjilli i sotshëm.
Nga jeta e bujshme dhe shenjtëria e madhe dolën shumë porosi:
Dashuria nuk njeh rregulla.
Puno, që Djalli të gjej gjithnjë të zënë me punë.
Unë jam mësuesi më i keq për vetveten.
Kush nuk dashuron, nuk jeton.
Varri i zbrazët është djepi i krishterimit.
Bibla është dialogu i vazhdueshëm i Zotit me njeriun.
Mosnjohja e Shkrimit Shenjt është mosnjohja e Krishtit.
Dera e çdo vesi është hidhërimi, urrejtja.
Duaje Biblën dhe do t’i braktisësh veset, mëkatet.
Homelia në Meshë të mbrëmjes në Katedrale “Nëna Tereze”
Prishtinë, 30 shtator 2020 Don Lush GJERGJI