Meditime

Mons Lush Gjergji: Shën Nëna Terezë – jeta, porosia, trashëgimia dhe risia

Shën Nëna Tereze: jeta, porosia, trashëgimia dhe risia
(5 – vjetori i shenjtërimit)

Nga Mons Lush Gjergji (*)

Jeta
Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910 nga prindërit shqiptarë katolikë Kolë Bojaxhiu dhe Drane, lindur Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës.
Shkollën fillore – katër vitet e para – i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, ndërkaq vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore.
Në moshën 18  vjeçare vendosi t’i shërbente plotësisht Zotit, Kishës, njeriut, përmes jetës rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Dhe atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë.
Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”.
Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).
Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare; edhe atë Nobel për Paqe (1979).
Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.
Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe salikim, si në lumturim, ashtu edhe në shenjtërim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën pa asnjë dallim dhe  përjashtim.
U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997. Qe lumturuar nga Papa Shën Gjon Pali II (19 tetor 2003), ndërsa u shenjtërua nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.
Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza kryesore jetësore që mund t’i dallojmë dhe t’i quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).
Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndrime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.
Për Nënën Tereze feja ishte kërkim, shpresa veprim, ndërsa dashuria flijim dhe dhurim.
Ajo ka folur pak, por ka vepruar shumë, mbi të gjitha ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, si dy shtylla të forta dhe të pathyeshme për jetë dhe për veprimtari.

Porosia
“Sa më pak kemi, aq më shumë japim, sepse e japim vetveten.”
“Dashuria mjekon  vetminë.”
“Nëse i gjykojmë të tjerët, nuk kemi kohë për t’i dashur.”
“Shumë njerëz flasin për të varfër, por pak kush flet me të varfër.”
“Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë.”
“Mos e kërkoni Zotin në toka të largëta. Ai është afër jush, në ju.”
“Varfëria më e keqe është mungesa e kujdesit dhe dashurisë.”
“Dita e djeshme ka kaluar, e nesërmja s’ka ardhur ende. Ne kemi vetëm: sot. Të fillojmë.”
“Vepra të vogla me dashuri të madhe.”
“Zoti është bukë. Zoti është dashuri. Zoti është gjithnjë.”
“Jezusi në Eukaristi është i njëjti edhe në çdo njeri, vëlla apo motër.”
“Nëse nuk jeton për të tjerët, nuk jeton fare.”
“Jepe pjesën më të mirë të vetvetes, zemrën, dashurinë.”
“Duaje jetën domethënë jeto dhe vepro me dashuri dhe për dashuri.”
“Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”
“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.”
“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.”
“Nëse dëshiron ta ndërrosh botën, ndërroje vetveten.”
“Dashuria mjekon dhe shëron gjithçka.”
“Gërbula e botës perëndimore është vetmia.”

Trashëgimia
Ajo dha gjithçka, mbi të gjitha vetveten dhe Zotin, nëpërmes dashurisë flijuese dhe dhuruese.
Ja disa ndër thesaret e saj për ne dhe për gjithë njerëzimin:
“Pa falje nuk ka as dashuri.”
“Dhurata më e bukur: falja.”
“Njeriu më i rrezikshëm: rrenacaku.”
“Mbrojtja më e mirë: optimizmi.”
“Fuqia më e madhe: feja.”
“Gjëja më e bukur në jetë: dashuria.”
“Nevoja më e madhe: Zoti.”
“Rreziku më i keq: vetmia.”
“Mundësia më e madhe: bashkimi.”
“Tjetërsimi më i keq: dyfytyrësia.”
“Dëshpërimi më i madh: zbulimi që mikun e ke armik.”
“Mësimi më i mirë: fëmija.”
“Suksesi më i madhe: e vërteta dhe dashuria.”

Risitë
Nënë e dashurisë universale, si është Zoti krijues  dhe shpëtimtar i çdo njeriut; si është jeta, dhuratë dhe mundësi për çdo njeri; si është dashuri, burimi gëzimi, lumturie dhe  pavdekësie, amshimi.
Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:
tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore dhe  shqiptare, që mbështetet në këtë parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”;” Mirë së të ka pru Zoti!”…
si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, kur Jezusi identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë, që ka dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllain apo motrën Njeri. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.
Kontemplative – aktive, gjithnjë dhe gjithçka  me Zotin, për Zotin, si dhe me njeriun dhe për njeriun, pa i ndarë apo përjashtuar kurrë nga jeta dhe veprimtaria. Ky “dualizëm” – Zoti dhe Njeriu apo Njeriu dhe Zoti – kanë krijuar te Nëna Tereze harmoninë e mrekullueshme nëpërmes fesë dhe dashurisë gjithnjë në kërkim dhe në veprim.
Papa Françesku për Nënën Tereze në Shkup ndër të tjera tha :  “Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllai dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit… “ (Shkup, 7 maj 2019).
Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë: Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”; sidomos mbrojtjen e jetës së fëmijëve të pa lindur, njerëzve të dëbuar dhe të përjashtuar, të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, të moshuarve, të atyre që gjithnjë pësojnë dhe fare nuk jetojnë, por vuajnë dhe pësojnë. Jeta pa dashuri është vetëm barrë, peshë, kryq, sepse kuptimi i jetës dhe veprimtarisë është Dashuria.
Vuajtja bekim e jo mallkim, duke ia gjetur kuptimin në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar, në bashkë-ndarje me Jezusin dhe me çdo njeri. Solidariteti, edhe më tepër, dashuria në veprim është mjekimi universale për çdo të keqe në botë.
Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.
Dhurim falas dhe në tërësi, si risia e pestë e Nënës Tereze, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe me falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëje këtë punë me zemër, ose mos e bëj aspak!”
Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.
Dhe ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit nëpërmes njeriut.
Çfarë risie sjell Nëna Tereze për ne shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.
Prandaj, dëshira ime është kjo: që mbarë populli Shqiptar, sidomos ajo pjesa që nuk ka pasur mundësi ta shihnin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmes teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, botimeve, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Shën Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:
Për ta njohur atë si ishte vërtet dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;
Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;
Për ta imituar, së paku në  mirësi dhe dashuri, në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore ose siç do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;
Për ta krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si dy shtylla jete dhe veprimi,  sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.
Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.
Me një fjalë: unë jam munduar që me shkrime dhe botime të mia në 17 vëllime,  Gonxhen tonë, tash Shën Nënën Tereze, t’ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime.
Dhe për çdo njeri të mendjes së hapur e zemrës së mirë, ajo tashmë është një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse e fortë dhe e dashur, për hapat tanë jetësorë në të tashmen dhe në të ardhmen.
Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, e Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë të mos harrohet, sidomos në 5 – vjetorin e shenjtërimit të saj. Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe do të mbesë “Ungjilli i gjallë”, të cilit ajo i besoi dhe e zbatoi me përpikëri dhe shumë dashuri, risia ungjillore,  “Misionarja e Dashurisë”, Nëna e botës së mjerimit, e tash Shenjtëresha e  Jetës dhe Dashurisë.
Ne shqiptarët, bijtë dhe bijat e saj shpirtërore, jemi trashëgimtarë të kësaj historie dhe mrekullie, feje dhe dashurie, vëllazërie gjithë-njerëzore, për krijimin e bashkimit në dallime, mozaikut tonë historik dhe aktual.
Shën Nëna Tereze lutu për Popullin  tonë Shqiptar, si dhe për mbarë botën!

____
(*) Kumtesë e mbajtur në Akademinë solemne kushtuar Nënë Terezës, në Qendrën Pastorale në Lozanë, më 11 shtator 2021. Mons Lush Gjergji është meshtar i Dioqezes Prizren-Prishtinë dhe biograf i Nënës Terezë.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »