Frymëzimi dhe veprimtaria e Shoqatës Bamirëse ‚Nëna Terezë‘ në Zvicër
Nga: Nue Zalli (*)
Të nderuara zonja, të nderuar zotërinjë,
1. Të nderuar organizatorë të kësaj mbramje shumë domethanëse për mërgatën tonë shqiptare si dhe për vlerat e humanizmit në përgjithësi. Kam nderin e veçantë, që pjesmarrësve të vlerësuar të këtij manifestimi t’iu drejtohem në emër të Shoqatës Humanitare Bëmirëse «Nënë Tereza» në Zvicër, kësaj shoqate që vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj humanitar dhe e cila gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar simbolizonte sofrën e shpresës për ringjallje, jetë të dinjitetshme dhe liri europiane të Dardanisë tonë, vendlindjes që asokohe përpërlitej mes jetës dhe vdekjes, atdheut tonë, atij trolli që vazhdonte të vuante padrejtsisht robninë shekullore.
2. Sot, pas 30 vjetëve veprimtari si shoqatë dhe pas një periudhe të mbushun me ngjarje të mëdha historike për ne dhe trashëgiminë që do e lëmë pas, qëndrojmë këtu të bashkuar në përkujtim të jetës dhe veprës hyjnore të të Shenjtës Nanë Tereza; një jete që vulosi ndarjen mes të mirës dhe të keqes, një vepre e cila mori vlerësime gjithandej globit dhe e cila na obligon e përkujton detyrimin tonë të përbashkët për mbrojtjen e pakompromis të jetës njerëzore pa dallim.
3. Zonja e zotërinjë, dua t’i përkujtoj secilit prej jush se dera e shoqatës dhe zemra jonë është e hapur për të gjithë ata e ato që duan të na bashkohen, të bashkpunojnë, të angazhohen, të dhurojnë diçka nga vetja e tyre, si dhe të nderojnë veprën e të Shenjtës Nënë Tereza. Dua gjithashtu t’iu siguroj, se angazhimi i shoqatës tonë kudo në botë, në të gjitha kontinentet, si dhe në vendin ku jetojmë e veprojmë, ka vetëm një synim: Vlerësimin maksimal për jetën si dhuratë të Zotit, si dhe angazhimin për mbrojtjen e saj kudo që na jipet rasti dhe mundësia për ta bërë një gjë të tillë! Ne nuk bëjmë dallime, nuk paragjykojmë dhe nuk vendosim kufinjë ndarës mes njerëzve, por i mbrojmë, i vlerësojmë dhe i trajtojmë me dinjitet nevojtarët e shumtë të kohës tonë.
4. Të nderuar mikpritës e organizatorë të këtij manifestimi, si kryetar i ri, dëshiroj t’iu njoftoj se realizimin e projekteve humanitare të shoqatës tonë po e bëjnë të mundshëm donatorët e të gjitha shtresave shoqërore që jetojnë në Zvicër – të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët, në emër të kryesisë dhe anëtarëve të shoqatës, i falënderoj përzemërsisht edhe në kuadër të këtij manifestimi!
5. Donatorët dhe donatoret e shoqatës tonë meritojnë vlerësimin maksimal, sepse përmes kontributit të tyre, neve si shoqatë na është ofruar mundësia e realizimit të synimeve tona kulturore, programore dhe statutare.
6. Prandaj sot, në kuadër të përvjetorit të Shejtnimit të Nanë Terezës, mua nuk më mbetet tjetër të shtoj, përveçse të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata e ato që na kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin veprimtarinë humanitare të shoqatës tonë.
7. Zonja e zotërinjë, duke i shprehur secilit e secilës prej jush falënderim për vëmendjen, iu ftojë të gjithëve, që të vini e ta vizitoni Shoqatën Nënë Tereza në Zvicër, të njoftoheni me punën e saj dhe synimet për të ardhmen. Të kaloni ca çaste me ne, në ambientin ku iu pret një zemër e bardhë shqiptare, humane dhe e përkushtuar për shërbim mdaj njerëzve në nevojë.
Zoti e bekoftë punën humanitare!
Zoti i shpërbleftë donatorët tanë!
____
(*) Kumtesë e mbajtur në Akademinë solemne kushtuar Nënë Terezës, në Qendrën Pastorale në Lozanë, më 11 shtator 2021. Nue Zalli është kryetar i Shoqatës Humanitare „Nëna Terezë“ në Zvicër.