Më, 22 qershor, nisi në Romë Takimi X Botëror i familjeve, që do të vijojë deri të diel, 26 qershor. Takimeve dhe kremtimeve me Papën i parapriu sonte transmetimi i drejtpërdrejtë botëror i Festivalit të Familjeve në Sallën Pali VI, në Vatikan. I pranishëm, pranë familjeve, edhe vetë Papa Françesku.
Fjalët e para që Papa ua drejtoi familjeve, pasi kishin dhënë dëshmitë e tyre të jetës familjare, me gëzimet e hidhërimet e saj, ishin të ngarkuara me gëzim, por edhe me tronditje:
“Është gëzim i madh për mua që jam sot këtu, me ju, pas ngjarjeve tronditëse që lanë gjurmë në jetën tonë kohët e fundit: së pari pandemia dhe tani lufta në Evropë, e cila i shtohet luftërave të tjera që godasin familjen njerëzore”.
Takimi i Familjeve, rast për të bashkuar Romën me botën
E në vijim, falënderimi:
“Gjithashtu dua të falënderoj familjet e pranishme, të cilat erdhën nga shumë vende të botës; në veçanti, ata që na dhanë dëshminë e tyre: faleminderit nga zemra!”
Fjalët e Papës nuk u drejtoheshin vetëm të pranishmëve në sallë, por edhe bashkëshortëve dhe familjeve, që e ndiqnin takimin nga mbarë bota. Do të doja – theksoi duke i kujtuar – t’ju bëja ta ndjeni afërsinë time aty ku jeni, në gjendjen tuaj konkrete të jetës. Nxitja ime është mbi të gjitha pikërisht kjo: të nisesh nga gjendja jote dhe, prej andej, të përpiqesh të ecësh së bashku: bashkë si bashkëshortë, bashkë me familjen tënde, bashkë me familjet e tjera, bashkë me Kishën”.
Në vijim Papa kujtoi se duhet bërë “një hap më shumë” drejt martesës. Një kthesë si Kishë, që dioqezat dhe famullitë tona të bëhen gjithnjë e më shumë “bashkësi që i presin dhe i mbështesin të gjithë krahëhapur”. Sepse ndjehet shumë kjo nevojë! Nevoja për të gjetur mbështetje në familje të tjera, që janë kisha të vogla.
Martesa, dhuratë e Zotit
Papa e quajti, në vijim, martesën “dhuratë e Zotit”. Dhuratë e mrekullueshme, me fuqinë e dashurisë hyjnore: e fortë, e qëndrueshme, besnike, e aftë të shërohet nga çdo dështim apo brishtësi. Martesa nuk është formalitet që duhet kryer. Ajo – sipas Papës – duhet bazuar mbi dashurinë e Krishtit, si mbi shkëmb. E, duke iu drejtuar bashkëshortëve të pranishëm në Sallë, në atmosferën gazmore të Festivalit të Familjeve – u kujtoi:
“Në martesë, Krishti ju jep veten, në mënyrë që të keni forcën për t’ia dhënë njëri-tjetrit. Guxim, pra, jeta familjare nuk është mision i pamundur! Me hirin e sakramentit, Zoti e shndërron në udhëtim të mrekullueshëm për t’u bërë së bashku me Të, asnjëherë vetëm”.
Zoti garanton praninë e tij në martesë dhe në familje
Për Atin e Shenjtë martesa është “një hap më shumë” për të përqafuar kryqin, pjesë e jetës së çdo njeriu dhe çdo familjeje. Mund të shihet edhe në sytë tuaj – kujtoi – Ju nuk jeni të dëshpëruar, të dëshpëruar dhe të zemëruar me jetën. Përkundrazi, në sytë tuaj shikoj një qetësi e madhe, perceptoj një besim të madh”.
Zoti shikon atë që ke në zemër
Në vijim Ati i Shenjtë shprehu dëshirën që dashuria të mos mbarojë, të mos ndalet historia e ndërtuar së bashku me të dashurin, të mos humbasin frytet e saj. Dëshirë që e kanë të gjithë:
“Askush nuk dëshiron dashuri ‘afatshkurtër’ ose ‘me afat të caktuar’. E kjo është arsyeja pse bashkëshortët vuajnë shumë kur të metat, neglizhenca dhe mëkatet njerëzore e rrënojnë martesën. Por edhe në mes të stuhisë, Zoti sheh atë që ke në zemër” – kujtoi, duke folur më pas për dhuratën e madhe të Zotit, që është falja. Falja shëron çdo plagë, është dhuratë që buron nga hiri, me të cilin Krishti e mbush çiftin dhe gjithë familjen, kur e lë të veprojë, kur i drejtohesh, kur kremton ‘festën e faljes’, me fëmijët tuaj, kur përsërit betimin e martesës në festën eukaristike”.
Falënderim
Para se t’u drejtonte fjalën familjeve ardhur nga mbarë bota, që mbushnin Sallën e madhe të Palit VI, të pranishmit dëgjuan disa dëshmitarë të jetës bashkëshortore, të cilët Françeku i falënderoi për dëshmitë e tyre. Posaçërisht dëshmitarët e luftës në Ukrainë, të cilët sollën në sallë ushtimën e armëve vëllavrasëse, por edhe optimizimin që vjen nga Fjala e Zotit:
“Ju falënderoj, Iryna dhe Sofia, për dëshminë tuaj. Ju u bëtë zë i një mori njerëzish, jetët e të cilëve u përmbysën nga lufta në Ukrainë. Tek ju shohim fytyrat dhe historitë e shumë burrave dhe, grave që u detyruan të largoheshin nga toka e tyre”.
Ishte një falënderim i dalë nga zemra, sepse nuk e patën humbur besimin në Provaninë Hyjnore dhe e panë me sytë e tyre sesi Zoti punon në favor të të drejtit edhe nëpërmjet njerëzve konkretë, familjeve mikpritëse, mjekëve që i ndihmuan dhe shumë burrave të tjerë zemërmirë. Pasi lufta i sulmoi me cinizëm dhe brutalitet njerëzor – kujtoi Papa – u takuan edhe me njerëz që e meritojnë plotësisht emrin njeri! Takuat më të keqin por edhe më të mirin ndërmjet njerëzve! Është e rëndësishme – kujtoi akoma Papa – të mos mendojmë vetëm për të keqen, por të vlerësojmë edhe të mirën, për të cilën është i aftë, çdo njeri, me bindjen se nga e mira mbin jeta e vërtetë.
Familja lidhet ngushtë me mikpritjen
Familja lidhet ngushtë edhe me mikpritjen – sepse në radhë të parë bashkëshortët e mirëpritën njëri-tjetrin. E, më më pas, duke nxjerrë në dritë fëmijët e tyre, mirëpritën jetën e krijesave të reja. Ndërsa në kontekste anonime ata që janë më të dobët shpesh refuzohen, në familje mirëpriten: një fëmijë me aftësi të kufizuara, një i moshuar në nevojë për kujdes, një i afërm në vështirësi, që nuk ka njeri… E kjo ngjall shpresë. Familjet janë vende të mirëseardhjes dhe mjerë ata, nëse dështojnë:
“Pa familje mikpritëse, shoqëria do të bëhej e akullt, e pajetueshme”
Në familje shprehet edhe ideali i vëllazërisë. Përveçse burrë e grua, jetohet edhe vëllezërimi me përvoja të ndryshme fetare, me angazhimin shoqëror. Edhe kjo është një shkollë që mësohet në familje. Duke jetuar së bashku me ata që janë të ndryshëm nga ne, në familje mësojmë të jemi vëllezër dhe motra. Mësojmë të kapërcejmë ndarjet, paragjykimet, mbylljet dhe të ndërtojmë së bashku diçka të madhe dhe të bukur, duke u nisur nga ajo që kemi të përbashkët. Më pas, porosia e Papës:
“Të dashur miq, secila prej familjeve tuaja ka një mision për të përmbushur në botë, një dëshmi për të dhënë. Ne të pagëzuarit, veçanërisht, jemi thirrur të jemi ‘mesazh që Shpirti Shenjt e nxjerr nga pasuria e Jezu Krishtit dhe ia dhuron popullit të vet”.
Më pas Papa i ftoi familjet e pranishme në Sallën Pali VI, ardhur nga të katër anët e botës, ta lënë Shpirtin Shenjt t’i shndërrojë, që më pas ata ta shndërrojnë botën dhe ta bëjnë ‘shtëpi’ të njerëzve, që kanë nevojë për strehë mikpritëse, që kanë nevojë të takojnë Krishtin dhe të ndihen të dashuruar:
“Ne duhet të jetojmë me sytë e ngulur në Parajsë”- kujtoi në përfundim Papa, duke i falënderuar “përfaqësuesit e familjeve të pranishme, të përkushtuara për t’i çuar përpara familjet e tyre” – por edhe “familjen e madhe, që është njerëzimi!”.