Papa, klaretianëve: rregulltarët të mos shkurajohen nga mungesa e thirrjeve
Papa takoi në Vatikan bashkësinë e Institutit Teologjik të Jetës Rregulltare “Claretianum”, me rastin e 50-vjetorit të themelimit nga Shën Antoni Maria Claret. Në një kohë kur Kisha rizbulon thirrjen e saj sinodale, Françesku nxit të mos harrohen të varfërit dhe solidariteti, të punohet për një vëllazërim pa kufi e për një mision, që i çon rregulltarët drejt periferive.
“Sot, jeta rregulltare nuk mund të shkurajohet nga mungesa e thirrjeve, ose nga plakja” e anëtarëve. Kështu i tha Papa bashkësisë së Institutit Teologjik të Jetës Rregulltare “Claretianum”, që e takoi në Vatikan, me rastin e 50-vjetorit të themelimit nga Shën Antoni Maria Claret. Në një kohë kur Kisha rizbulon thirrjen e saj sinodale, Françesku nxit të mos harrohen të varfërit dhe solidariteti, të punohet për një vëllazërim pa kufi e për një mision, që i çon rregulltarët drejt periferive.
Shërbim në frymën sinodale të Kishës
Pasi lëvdoi afërsinë dhe ndihmën, që u japin klaretianët bashkësive të jetës rregulltare, përmes shoqërimit shpirtëror, sqarimit të doktrinës e këshillave juridike, në 6 qendra – Romë, Madrid, Manila, Bangalore, Bogotà dhe Abuja – por edhe përmes projekteve në vende të tjera të botës, duke punuar për një fytyrë më njerëzore të jetës së shuguruar:
“Ndihma juaj për rregulltaret dhe rregulltarët, përpara se të jetë intelektuale, është dëshmi, rrëfim se Jezusi është Zot. Shërbimi i parë i Instituteve tuaja Teologjike duhet të jetë ai i vënies në dispozicion si shtëpi mikpritëse, lavdi e falënderimi; si vende ku bashkohen karizmat dhe shtohet dëshira për të jetuar frymën e Lumnive… Në to duhet të duket bashkimi dhe të inkurajohet opcioni për të varfërit dhe solidariteti, vëllazërimi pa kufi dhe misioni në dalje”.
Mungesa e thirrjeve dhe karizma e themeluesit
Papa i këshilloi të mos shkurajohen nga mungesa e thirrjeve e të gjejnë sërish rrënjët e tyre në karizmën e themeluesit.
“Duke e ditur se po përballeni me shumë sfida të kohës sonë, – tha Ati i Shenjtë – dua t’ju ftoj ta nënvizoni vlerën e besnikërisë në ndjekjen e Jezu Krishtit sipas frymës së Themeluesve, t’i kushtoni vëmendje jetës së bashkësisë, ta jetoni ndërthurjen ndërmjet kulturave si një udhëtim vëllazërimi e misioni dhe të promovoni takimin ndërmjet brezave të ndryshëm në jetën rregulltare, në Kishë e në shoqëri”.
Papa nënvizoi edhe takimin ndërmjet brezave. Të rinjtë duhet t’i frekuentojnë të moshuarit, siç thotë profecia e Joelit.
“Me këtë dialog, me Shpirtin Shenjt, të moshuarit do të ëndërrojnë dhe të rinjtë do të profetizojnë. Do të ecin përpara, por me ëndrrën e të moshuarve. Ju lutem, mos i lini të vjetrit të vdesin pa ëndërruar: është pjesë e misionit. Takimin do ta bëjnë të rinjtë. Të rinjtë tuaj të shoqërohen me të moshuarit dhe të moshuarit me të rinjtë. Dikur, pas Koncilit, ekzistonte mendësia e ristrukturimit të gjërave: disa kongregata i dërgonin të moshuarit në shtëpinë e pleqve. Ju lutem, kjo është kriminale! E, disa rregulltare – po mendoj për një rast konkret – murgesha të moshuara, që punonin mirë, pas dy muajsh në shtëpinë e pleqve shkuan në botën tjetër. Për shkak të nostalgjisë e trishtimit! Të moshuarit duhet të vdesin duke ëndërruar dhe ata që i bëjnë të ëndërrojnë janë të rinjtë, të cilët duhet të zënë vendin e të moshuarve. Mos e harroni këtë: lërini të flasin…”
Opcioni për të varfërit
Ati i Shenjtë i këshilloi klaretianët të kërkojnë gjithnjë udhë të reja për t’i shërbyer Zotit dhe Popullit të Hyjit, të shkojnë drejt periferive e drejt kufijve të mendimit, duke vazhduar të kujdesen për cilësinë e studimit dhe të punës kërkimoro-shkencore. Jeta rregulltare pa studimin, nënvizoi Papa, pa teologjinë, pa reflektimin, e varfëron apostullimin dhe favorizon qëndrimin sipërfaqësor ndaj misionit. E pastaj, u tërhoqi vëmendjen ndaj varfërive të botës, duke u kërkuar të mos i harrojnë ato.
“Mos harroni, as në jetën dhe as në punën tuaj në universitet, ata që jetojnë forma të tjera varfërie. Bëni që jeta të fitojë mbi vdekjen dhe dinjiteti mbi padrejtësitë. Për ta takuar vërtet Krishtin, duhet prekur korpi i Tij në trupin plot plagë të të varfërve, duke konfirmuar bashkimin sakramentor, marrë në Eukaristi”.
Lutja e Koncilit II të Vatikanit
Duke perifrazuar lutjen, që mbylli homelinë për 60-vjetorin e hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Papa Françesku i ftoi të pranishmit të bashkohen me të në falënderimin “për dhuratën e Koncilit dhe për bekimin që këto institute teologjike të jetës rregulltare kanë qenë dhe janë për Kishën”. Duke iu drejtuar Zotit të Gjithpushtetshëm, Ati i Shenjtë e mbylli me lutje fjalën e tij:
“Ti që na do, na çliro nga pretendimi se i mjaftojmë vetvetes dhe nga fryma e kritikës së kësaj bote. Ti, që kujdesesh për ne me butësi, na çliro nga vetëreferimi, nga mashtrimi djallëzor i polarizimeve, nga “izmat”. Dhe ne, Kisha jote, me Pjetrin dhe si Pjetri, të themi: ‘O Zot, ti di gjithçka; ti e di se të duam’”.
/RV