Paraqitja e Krishtit në tempull, festa e dritës (shih Lk 2,30-32), e ka zanafillën në Lindje, ku njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe në perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali, me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi ta quante festën ‘Kandelora’ – tek shqiptarët, ‘Zoja e Qirave’
Kisha katolike kremton, më 2 shkurt, festën e Kushtimit të Jezu Krishtit Zot në Tempull nga Maria e Jozefi. Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull kremtojmë një mister të jetës së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Moisiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8).
Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit të Jerusalemit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do ti përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.
Pra, dyzet ditë mbasi u lind, Jezusi u paraqit para Hyjit në Tempullin e Jerusalemit, sikurse e kërkonte Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe nëna e tij Maria bëri ritualin e pastrimit dhe ofroi flijimet, sikurse i kërkonte Ligji. Prandaj, dyzet ditë mbas Krishtlindjes Kisha kremton, më 2 Shkurt, Paraqitjen e Kushtimin e Zotit në Tempull (Ipapandinë). Pra, jemi përballë një misteri, të thjeshtë e solemn njëherësh, në të cilin Kisha shenjte kremton Krishtin, të Shuguruarin e Atit, të Parëlindurin e njerëzimit të ri,
Për festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, Meshari Romak pohon: “Kështu Jezusi, në mënyrë të dukshme, iu nënshtrua Ligjit, por në të vërtetë, ai erdhi në takim me popullin e vet besimtar. Të nxitur nga Shprtit Shenjt erdhën në tempull të lumët Simeoni e Ana, të cilët, të shndritur prej të njëjtit Shpirt, e kanë njohur Zotin dhe e kanë shpallur me gëzim. Kështu edhe ne, të bashkuar e të nxitur nga Shpirtit Shenjt, jemi të ftuar të shkojmë drejt shtëpisë së Hyjit në takim me Krishtin. Do ta gjejmë dhe do ta njohim në ndarjen e bukës duke pritur ardhjen e tij të lavidshme”. Kështu shkruan Meshari Romak për festën e sotme.
Pra, Pritja e Krishtit nga plaku Simeon dhe profetesha Ana (Luka 2, 22-36) është ngjarja kryesore e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull. I qe “zbuluar Simonit me anë të Shpirtit të Shenjtë, se nuk do ta shikonte vdekjen përpara se të shikonte Zotin Krisht” (Luka 2:26) dhe, i frymëzuar prej të njëjtit Shpirt, ai erdhi në Tempull, ku paraqiti Mesinë e porsalindur, e mori në krahët e tij dhe tha fjalët, që tani thuhen çdo ditë në shërbesën e Lutjeve të Mbrëmjes. “Tani, o Zot, lëshoje shërbëtorin tënd të vdes në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd, që Ti e përgatite në sy të të gjithë popujve. Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit”. (Luka 2, 29-32).
Në këtë kohë, Simeoni parashikoi gjithashtu, që Jezusi do të jetë një “shenjë kundërshtimesh” dhe që Ai do të shkaktojë “rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael”. Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të birit të saj (Luka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falënderuar Hyjin “ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem” (Luka 2,38).
Në shërbesën e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, theksohet fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Hyjit, me anë të të cilit u krijua bota, tani po mbahet si fëmijë në duart e Simonit; i njëjti Bir i Hyjit, Dhënësi i Ligjit, tani Ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje. Kremtimi i Paraqitjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë Zot, si Simeoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në Kishën e Mesisë, anëtarët e Kishës mund të kërkojnë “paraqitjen” e tyre te Zoti dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të lëshohen e të shkojnë në paqe”, meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Zotit në personin e Krishtit. Paraqitja e Jezus Krishtit Zot në tempull, që mbyll kremtimet e kohës së Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës Mari e të Jozefit dhe me profecinë e Simeonit, i hap rrugën Pashkëve.
Festa e dritës (shih Lk 2,30-32), siç quhet me fjalë tjera, e ka zanafillën në Lindje, ku njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe në Perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali, me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi ta quante festën ‘Kandelora’ – tek shqiptarët, ‘Zoja e Qirave’.
Në Martiriologun Romak shkruhet: “Festa e paraqitjes së Zotit, e quajtur ‘Ipapánte’ nga grekët, kremtohet 40 ditë pas lindjes së Krishtit, kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si për t’iu nënshtruar ligjit të Moisiut, ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar e të ngazëllyer, si dritë që ndriçon njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”. Dëshmia e parë për kremtimin e festës vjen nga Jerusalemi i shekullit IV e, deri në reformimin e Kalendarit të Kishës, njihet si Festa e pastrimit të Virgjërës Mari, që tregohet në Ungjillin e Lukës (Lk 2,22-40).
Tradita shqiptare na kujton se me 2 shkurt kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull dhe pastrimi i Zojës prej ligimit të fëmijës.
Sipas Ligjit të Moisiut, çdo djalë i parë, 40 ditë pas lindjes, çohej në tempull dhe aty i kushtohej Hyjit ndërsa, në të njëjtën kohë, e ëma, me një bekim të veçantë, pastrohej nga përlimi i lindjes e fitonte rishtas të drejtën të merrte pjesë, me gratë e tjera, në kremtimet fetare të tempullit.
Që këtu dokja e dikurshme kishtare që gruaja, pas lindjes, duhet të paraqitej, porsa të çohej nga ligimi i fëmijës, në Kishë, që të hynte në uratë. Për të shprehur nënshtrimin e plotë, prindërit duhet të çonin një qengj si flije falënderimi, ose, në se ishin të varfër, një çift pëllumba a turtuj. Krishti, që në çastet e para të jetës deshi t’i rrinte besnik Ligjit të Moisiut. Prej këndej të përgjakurit dhe shugurimi zyrtar ndaj Zotit. Po ashtu Zoja e Bekuar, krijesa më e pastër, pranoi të pastrohej, ashtu si të gjitha gratë.
Ndërsa Krishti fëmijë kryen këtë sjellje rituale, një plak i del para Marisë e Jozefit e, duke e marrë foshnjën në duar të veta, njeh në Të e dëshmon Shëlbuesin. I rrëmbyer në shpirt, këndon këngën profetike: “Tani merre, o Zot, shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, në paqen tënde, sepse sytë e mi panë shpëtimin (Shëlbuesin) që vjen prej teje (Ungjilli”).
Mesha e solemnitetit paraprihet nga bekimi i qirinjve, simbol i dritës së Krishtit të Gjallë, që është drita e botës dhe nga procesioni, i cili simbolikisht e drejton besimtarin drejt Tempullit të Qiellit, drejt lumturisë së pasosur.
Një lutje e përmallshme dhe e ndjerë drejtuar Zojës së Bekuar, , në solemnitetin e Paraqitjes së Krishtit në Tempull, pohon:
O Mari, Nënë e Kishës,
në duart e tua i lëshoj sot të gjithë rregulltarët,
që ti t’u nxjerrësh hirin e dritës hyjnore;
hirin e jetës në dëgjimin e Fjalës së Zotit,
në përvujtërinë e ndjekjes së Krishtit,
Birit tënd e Zotit tonë,
në pritje të Shpirtit Shenjt:
për të hapur zemrat. Amen!
/RV